LSDM-ja akuzon policinë për tejkalim të kompetencave dhe dhunë ndaj qytetarëve

Maqedonia

LSDM-ja akuzon policinë për tejkalim të kompetencave dhe dhunë ndaj qytetarëve

Më: 6 maj 2015 Në ora: 16:41

LSDM-ja opozitare ka akuzuar policinë për tejkalim të kompetencave dhe përdorimin e dhunës ndaj protestuesve gjatë protestës së mbrëmshme para Qeverisë. Zëdhënësi Petre Shilegov akuzoi se urdhërin për të rrahun qytetarët e kanë dhënë vetë kryeministri Nikolla Gruevski dhe drejtuesit e policisë, Jankullovska dhe Mijallkov.

“Strukturat policore, me porosi të Gruevskit, rrahën të rinj, studentë, gra dhe qytetarë të pafajshëm. U arrestuan edhe qytetarë të tjerë të cilët rrinin ulur qetësisht në rrugë, me duar të ngritura lart. Gjithë ky operacion për përdorim të pamëshirshëm të dhunës ndaj qytetarëve është planifikuar në shtëpinë e Nikolla Gruevskit, ku dje në orët e pasdites kishin arritur edhe Sasho Mijallkov dhe Martin Protugjeri. Më pas, planin e porositur u desh ta realizonte Gordana Jankullovska e cila nga vendi i ngjarjes, para objektit të Qeverisë, komandonte dhunën ndaj qytetarëve të vetë. Nikolla Gruevski zgjodhi rrugën se si do të largohet. Me aksionin e djeshëm brutal, Nikolla Gruevski e zgjodhi rrugën e rrahjes së qytetarëve të tij, duke ndjekur shembujt e diktatorëve si Millosheviqi, Çauçesku dhe Lukashenko”, deklaroi Petre Shilegov, zëdhënës i LSDM-së

Me dhunën e përdorur kundër protestuesve, LSDM akuzoi kryeministrin se për herë të dytë tentoi të vriste të vërtetën për vrasjen e të riut Martin Neshkovski. Shilegov ftoi qytetarët që gjatë protestave të ardhshme të mos bien pre e provokimeve të pushtetit. Ai tha se protesta e djeshme nuk ishte organizuar nga LSDM-ja, pasi partia opozitare, ka publikuar prej ditësh tashmë në mënyrë transparente, se protesta e saj do të mbahet5 më 17 maj. Megjithatë, Shilegov nuk mohoi që anëtarë të kësaj partie, në cilësinë e qytetarëve, do të marrin pjesë në çdo protestë kundër Qeverisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat