Ai që nuk dëshiron ta dëgjojë popullin duke folur, do ta dëgjoje atë duke bërtitur!

Maqedonia

Ai që nuk dëshiron ta dëgjojë popullin duke folur, do ta dëgjoje atë duke bërtitur!

Më: 26 prill 2015 Në ora: 18:13

Nxënësit vazhdojnë të kërkojnë ndryshimin e reformave të reja në arsim, por si duhet hasin në vesh të shurdhër tek ministri i arsimit dhe shkencës.

Kësaj radhe në marshin e dytë kundër reformave në arsimin e mesëm u kyçën edhe grupe të nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme në Shkup.

“Ne do të fillojmë bojkotin dhe do të marshojmë edhe përkundër presioneve, deri sa të plotësohen kërkesat tona. Prandaj nuk do të ndalemi dhe ministri duhet të gjej kohë që të takohet me neve, gjë që duhet ta kishte bërë shumë më herët, do të duhej të na kishte konsultuar për reformat jo t’i bëjë kokë në vete”, tha Irfan T., nxënës i shkollës së mesme.

Disa nga profesorët mbështesin nxënësit e tyre mirëpo shfaqin shqetësim në atë se si do të kompensohet materiali i humbur dhe çka do të ndodh me ata pas marshimit dhe bojkotimit.

“Ne mbështesim nxënësit tanë dhe ju qëndrojmë pas, por nuk mund të mohojmë atë që është negative për ata. Ashtu si reformat, edhe humbja e mësimit është tejet e dëmshme për maturantët sepse janë në fund dhe nuk kanë kohë për kompensimin e orëve të humbura. Apelojmë deri tek ministri që sa më shpejt të gjej zgjidhje ashtu siç bëri me studentët”, tha R.B., profesor.

Gjithashtu edhe prindërit shfaqin shqetësim për mosbrengosjen e ministrit lidhur me këtë çështje.

“Nuk e di si mund të tregohet aq indiferent ministri kur bëhet fjalë për mijëra nxënës. Marshi dje ishte marramendës sidomos edhe me mbështetjen e studentëve. Nuk e di se çka ndërmend ministri por kështu nuk shkon, po shkatërron ardhmërinë, po shkatërron arsimin. Fëmijët tanë tërë kohën kërkojnë mundësinë të shkollohen në vendet e huaja dhe kjo falë ‘reformave’ tona të ‘suksesshme’”, tha H.G., prind.

Studentët mbështetën marshin e nxënësve dhe thonë se ministri duhet të ndalojë se sjelluri reforma dhe pastaj të kërkojë shqyrtimin e tyre.

“E njëjta ndodhi edhe me ne, por si duket ministri nuk ka haber se si funksionojnë reformat. Ai së pari duhet të debatojë më studentët dhe nxënësit dhe më pas të vendos për reformat jo pasi që të bëhen ato pastaj të hapet debat dhe diskutime. Kjo është shumë e dëmshme për ne të gjithë”, thonë studentët.

Ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti thotë për Portalb se nëse ministri nuk dëshiron ta dëgjojë popullin duke folur, do ta dëgjoje atë duke bërtitur.

“Ai që nuk dëshiron ta dëgjojë popullin duke folur, do ta dëgjoje atë duke bërtitur dhe protestuar. Mllefi i arsyeshëm i nxënësve është provokuar nga vetë qeveria. Ministri i Arsimit ka dy alternativa, të zgjedhë të zbatoje vendimet antiarsimore të qeverisë ose të mbajë anën e drejtësisë pra të nxënësve”, tha Rushiti.

Ndërkaq nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, vazhdojnë të japin deklaratën e njëjtë, që ministri Abdilaqim Ademi është duke shqyrtuar agjendën për të gjetur një datë për të takuar përfaqësuesit e plenumit të nxënësve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat