Opozitën shqiptare në Maqedoni, nuk e bën “mall” faktori ndërkombëtar

Maqedonia

Opozitën shqiptare në Maqedoni, nuk e bën “mall” faktori ndërkombëtar

Më: 18 prill 2015 Në ora: 13:30

Opozita shqiptare në Maqedoni është e defaktorizuar. Kjo u dëshmua edhe në takimin e djeshëm ku një grup ambasadorësh nuk shprehën vullnetin të takohen në Parlament me drejtuesit e partisë shqiptare në opozitë, PDSH-në e Menduh Thacit.

Profesori, Alajdin Demiri thotë se gjatë vizitave të fundit të diplomacisë ndërkombëtare është e përjashtuar opozita shqiptare. Sipas tij e gjithë kjo bëhet pasi PDSH nuk ka peshë para faktorit ndërkombëtar.

“PDSH-ja ka pozitë të pakuptimtë, dëshiron të imponohet si opozitë, mirpo funksionon në kuadër të VMRO-DPMNE-së.

Sjellja e këtyre tre partive. VMRO, BDI dhe LSDM është kundër LSDM-së që krijon një situatë të pafavorshme për negociata dhe është destruktive për Maqedoninë”, thekson Demiri, duke shtuar se partia maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, nuk do të lëshon pe në negociatat në Bruksel, pasi është e bindur se opozita maqedonase manipulon opinionin me skandalin e përgjimeve.

Ndryshe, ambasadorë të SHBA-ve, Turqisë, BE-së dhe Danimarkës të akredituar pranë OSBE-së me qendër në Vjenë kanë qëndruar dje për vizitë njëditore në Maqedoni. Ata janë takuar me përfaqësues të partisë qeveritare Gruevski nga VMRO DPMNE dhe me Ahmeti nga BDI, si dhe me kreun e opozitës, Zoran Zaev nga LSDM.

Në këto takime është biseduar për situatën aktuale në Maqedoni, ndërsa duke pasur parasysh rolin kryesor të OSBE-së që ka për detyrë sigurinë, preventimin nga eskalimi i situatës dhe kujdesin për zonat pas konfliktuoze, theks i veçantë është kushtuar te siguria.

Ambasadorët kanë deklaruar se të gjitha problemet duhe të zgjidhen në mënyrë juridike, institucionale dhe politike, në pajtueshmëri me rendin kushtetues, vlerat e demokracisë dhe sundimin e ligjit.

Ndërkoh, lideri i opozitës,Zaev, ditë më parë, tha se kriza mund të kapërcehet edhe përmes një takimi të liderëve të partive politike me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, në të cilin, sipas tij, partitë duhet të merren vesh për një qeveri teknike, ndërsa fajtorët për skandalin e përgjimeve të japin llogari para gjykatës.

Sa u përket takimeve të tilla të liderëve politikë, analistët janë pesimist në arritjen e ndonjë zgjidhjeje të mundshme.

“Më vjen keq, por takimet e partive politike nuk funksionojnë. Mendoj se dialogu kryesor politik duhet të zhvillohet nën garanca të plota të SHBA dhe BE-së.”, thonë analistët.

Analistët në Maqedoni nuk presin shpejt zhbllokim të krizës politike, përkundër paralajmërimit të takimeve në Bruksel të zyrtarëve të partisë së kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe opozitës maqedonase, LSDM, për t’u marrë vesh për zgjidhjen e skandalit të përgjimeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat