Llazarevik-Pendarovski: Deklarata e JI është radikale dhe aspak diplomatike

Maqedonia

Llazarevik-Pendarovski: Deklarata e JI është radikale dhe aspak diplomatike

Më: 17 prill 2015 Në ora: 22:47

Deklaratat e zv/ndihmës sekretarit amerikan Hojt Ji, sipas Stevo Pendarovskit nga LSDM-ja dhe Vlladimir Llazarevik, iniciatorit për reforma në VMRO, janë deklarata radikale dhe aspak diplomatike, drejtuar funksionarëve qeveritar. Me këto deklarata, sipas tyre, nuk ka dyshim se amerikanët do të angazhohen seriozisht për zgjidhjen e krizës politike.

“Deklaratë ku numërohen të gjitha këto gjëra nuk kemi pasur në 24 vite pavarësi të Maqedonisë. Nuk e di çfarë tjetër duhej të numëronte, çfarë duhej të bënte, vetëm të fillonte të shante në fund. Kjo nuk është deklaratë diplomatike, kjo është deklaratë radikale, shokuese. 10 herë përmend se cila është përgjegjësia eventuale e Qeverisë dhe këtë e thotë pas takimeve të përfunduara në Qeverinë e Maqedonisë. Mendoj se me këtë hyjnë drejtpërdrejtë në një format të bisedimeve të filluara në Bruksel. Sipas bindjes sime të thellë, pa ata, pa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kjo krizë nuk mund të zgjidhet”, deklaroi Stevo Pendarovski, LSDM.

“Flet për përgjegjësi të cilën është e qartë se nuk e shohin te Qeveria, praktikisht janë të shqetësuar se Maqedonia po devijon nga rruga që duhet ta ecë. Duhet të ecë drejt Evropës dhe strukturave të NATO-s, ndërsa ne ecim në drejtim krejt të kundërt. Deklaratë të tillë, pajtohem me Pendarovskin, ndoshta nuk kam përvojë sa ai por deklaratë të tillë nuk ka pasur as në periudhat më kritike, ndërsa kjo është periudhë e veçantë kritike të cilën jam i sigurt se do ta kalojmë, por do të ishte më e vështirë pa ndërmjetësim të tillë të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Vlladimir Llazarevik, iniciator për reforma në VMRO DPMNE.

Pendarovski dhe Llazarevik komentuan edhe heshtjen e ish kryeministrit dhe ish presidentit Branko Cërvenkovski. Ata vlerësojnë se me heshtjen e tij, Cërvenkovski përkrah Nikolla Gruevskin me qëllim dëmtimin e Zoran Zaevit dhe kryesisë aktuale të LSDM-së, me të cilën nuk ka raporte aspak të mira.

“Sot të mos flasësh, sidomos në pozicionin e një njeriu që ka kryer të gjitha funksionet e mundshme në vend, Branko Cërvenkovski, të heshtë në këtë situatë, ai është drejtpërdrejt kundër Zoran Zaevit. Ai punon kundër partisë së tij. Me heshtjen e tij, për mua nuk ka asnjë dilemë se Branko Cërvenkovski e përkrah Nikolla Gruevskin”, tha Vlladimir Llazarevik, iniciator për reforma në VMRO DPMNE.

“Në këtë situatë, kur secili njeri në rrugë ka qëndrim për këtë që na ndodh, të këtillë ose të atillë, është e palejueshme njerëz me përvojë të madhe politike, me renome, me emër dhe mbiemër, që e ka bërë këtë shtet me disa të tjerë, në kuptimin bashkëkohor, të distancohen nga rrjedhat aktuale politike”, u shpreh Stevo Pendarovski, LSDM.

Bashkëbiseduesit vlerësuan se nuk ka hapësirë për tensione ndëretnike në vend dhe se projekti i publikimit të përgjimeve nga LSDM-ja i ka afruar si asnjëherë më parë grupet etnike, duke i vetëdijesuar se armiqtë e vërtetë të popullit janë një grup personash në pushtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat