Arifi: Jemi larg Tetovës që duam, por angazhohemi që tu përgjigjemi nevojave

Maqedonia

Arifi: Jemi larg Tetovës që duam, por angazhohemi që tu përgjigjemi nevojave

Më: 3 mars 2015 Në ora: 16:43

Me rastin e 3 marsit ditës së komunës së Tetovës, kryetarja Teuta Arifi tha se dy vitet e fundit kanë qenë një përpjekje për të jetësuar demokracinë në nivelin lokal . Dhe kjo është më se e qartë, sepse askush nuk mund të thotë që në cilën do politikë të komunës apo veprimin e saj ka mbizotëruar cilido interes partiak, grupor , individual apo i biznesit .

“Dy vitet e fundit besoj që të gjithë kemi qenë të lirë të ndajmë këndvështrimet tona, të kundërshtojmë dhe të propozojmë idetë tona mbi çështjet por gjithmonë duke ndarë interesat madhore të qytetit nga interesat pjesore individuale apo grupore. Gjithçka që është bërë ka pasur për qëllim realizimin e interesit të përgjithshëm qytetarë. Dy vitet e fundit kanë qenë vitet e afrimit të qytetarit me komunën e tij, vite ku ky institucion ka jetësuar funksionin e tij parësor për ti shërbyer qytetarit dhe qytetit ndërsa çdo i punësuar i tij ka kuptuar rolin që ka në jetën e Tetovës” tha Teuta Arifi.

Në fjalimin e saj me rastin e 3 marsit ditës së komunës Teuta Arifi deklaroi:

Me gjithë vështirësitë financiare që vin nga borxhet e trashëguara milionëshe, ne çdo ditë jemi duke punuar për tu përgjigjur nevojave të qytetarëve për të pasur rrugë, kanalizime, ujë, trotuare, transport publik ,arsimim cilësor, jetë kulturore ndërsa paralelisht përgatisim projekte të reja për ndërhyrje në infrastrukturën e vjetërsuar dhe trashëguar nga sistemi komunist që nuk përkon me realitetin infrastrukturor të qytetit sot as me numrin e banorëve që numëron Tetova sot. Ne jemi larg nga Tetova që dëshirojmë ta kemi por jemi në kahjen që shpien deri te realizimi I qëllimit tonë, qëllim ky që kërkon shumë punë dhe marrje detyrash dhe përgjegjësish.

Me gjithë ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në aspektin e përmirësimit dhe rruajtjes së higjienës së qytetit, gjelbërimit të zonave të ndryshme me mbjelljen e barit, luleve dhe dorinjve, investimet në infrastrukturë dhe në ngritjen e cilësisë së procesit arsimor që zhvillohet në shkollat fillore dhe të mesme , jetës së pasur kulturore që kanë bërë Tetovën si asnjëherë më parë të frekuentuar nga artist kombëtar dhe ndërkombëtar, ajo që dua ta theksoj në ditën e komunës sonë është se problemi i furnizimit me ujë të pijshëm që ka qenë problemi kryesor i këtij qyteti për më tepër se një dekadë është afër zgjedhjes, pra projekti i ujësjellësit rrjedh me dinamikën e paraparë ndërsa pritet të përfundojë në vitin 2016. Njëkohësisht ne kemi përgatitur projekt dhe jemi duke aplikuar për fonde për ndërtimin e stacionit të filtrimit sepse nuk është e mjaftueshme qytetarët vetëm të kenë rregullisht sasi të bollshme të ujit, ai ujë po ashtu duhet të jetë i pijshëm. Në këtë drejtim dua ta theksoj edhe faktin që përmes IPA programit kemi fituar projektin për përpunimin e studimit të fizibilitetit për trajtimin e ujërave të zeza.

Dhe si për ironi tani që jemi në prag të zgjedhjes së problemit të furnizimit të qytetit me ujë të pijshëm ballafaqohemi me problemin e ndotjes enorme të ajrit ambiental, gjendje kjo e cila është shumë brengosëse për ne , për përmirësimin e së cilës jemi duke u angazhuar maksimalisht.

Në këtë drejtim ne përmes masave afatshkurta dhe afatgjata të miratuara nga këshilli komunal u obliguam se do të bëjmë gjithë atë që është e mundur në kuadër të kompetencave tona ligjore që të ndërmarrim masa dhe aktivitete konkrete të cilët në plan afatshkurtër do ta reduktojnë ndotjen e ajrit ambiental ndërsa në plan afatgjatë do të krijojnë kulturë të veprimit të vazhdueshëm dhe do të ndikojnë në mënyrë preventive që problemi i ndotjes enorme të ajrit mos të paraqitet përsëri në të ardhmen. Zbatimi i masave të parapara kryhet në vazhdimësi sipas dinamikës së paraparë. Inspektorët ekologjik rregullisht kryejnë kontrolle të kapaciteteve industriale dhe kanë shqiptuar dënime për disa kompani të pandërgjegjshme të cilat kanë ndezur mbeturina dhe materiale ndërtimore. Me linjën telefonike dhe wwb aplikacionin e-tetova , kemi lehtësuar komunikimin e qytetarëve me komunën për të paraqitur rastet e sjelljes së pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik por njëkohësisht kemi rritur edhe efektivitetin e inspektorëve të komunës dhe shërbimeve që Sektori për mbikëqyrje inspektuese ju ofron qytetarëve. Ndërmarrja publike komunale si asnjëherë më pare mirëmban në nivel të kënaqshëm higjienën e përgjithshme të qytetit e cila dy vite më pare ishte në nivelin më të ulët të mundshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat