Shkup: Qirinj për demokracinë e vrarë

Maqedonia

Shkup: Qirinj për demokracinë e vrarë

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 10:45

Një grup qytetarësh ndezën mbrëmë qirinj para Parlamentit të Maqedonisë në Shkup me rastin e dyvjetorit të, siç e quajtën ata, vrasjes së demokracisë, lajmëroi portali A1on.

Të tubuarit, në mesin e të cilëve ka pasur edhe deputetë të përbërjes së kaluar parlamentare, e kanë porositur Qeverinë e Nikola Gruevskit, se “rezistenca nuk ka vdekur”.

Më herët dje, para Kuvendit u tubuan edhe anëtarë të partive opozitare, të cilët vendosën një përmendore të improvizuar të vdekjes së demokracisë. Zoran Zaev, lideri i partisë më të madhe opozitare maqedonase, Lidhjes Socialdemokrate, porositi se “është duke ardhur periudha kur kjo çmenduri duhet të marrë fund”.

“Do t’i vëmë pikë qëllimit të pushtetit që të vazhdojë deri në shkeljen përfundimtare të lirisë së fjalës, demokracisë, lirisë së zgjedhjes të qytetarëve”, tha lideri i LSDM-së.

“Të Hënën e Zezë”, më 24 dhjetor 2012, gjatë debatit për buxhetin e shtetit, deputetët e opozitës maqedonase dhe gazetarët që ndjekin punën e legjislativit, u nxorën me forcë nga salla e Kuvendit nga sigurimi, me urdhër të shumicës parlamentare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat