Për Ivanovin, fajtorë për problemet në vend janë fqinjët, BE dhe bota

Maqedonia

Për Ivanovin, fajtorë për problemet në vend janë fqinjët, BE dhe bota

Më: 18 dhjetor 2014 Në ora: 14:29

Presidenti i shtetit Gjorge Ivanov thotë se arsyet e mungesës së dialogut politik dhe të tensioneve ndëretnike duhet të kërkohen te kontestimi i emrit, i identitetit dhe i gjuhës maqedonase, por edhe te gjendja në rajon, në BE dhe në botë.

Vlerësimi i tillë u bë gjatë fjalimit tradicional që Ivanov mbajti sot në Kuvend, në sallën gjysmë bosh, për shkak të bojkotit të BDI-së dhe LSDM-së.

“Jemi të gjithë të vetëdijshëm se punët nuk janë aq të thjeshta. Mungesa e dialogut politik në Kuvend dhe frustrimet në marrëdhëniet ndëretnike, janë mes të tjerash reflektim i kontestit të emrit tonë, të identitetit dhe të gjuhës, por edhe të situatës në rajon, në BE dhe në botë. Ky është fjalimi im i dytë këtë vit përpara një Kuvendi që nuk është në përbërje të plotë. Më vjen keq sinqerisht që edhe sot mungojnë deputetët, të cilët kanë zgjedhur të mos përfaqësojnë qytetarët që kanë votuar për ta”, tha Ivanov.

Ai rikujtoi se 7 muaj më parë kishte ftuar të gjithë liderët politikë në një diskutim të përbashkët për interesat e shtetit,porse përgjigjja kishte munguar.

“Ftesa vazhdon ende për të gjithë”, tha Ivanov.

“Të refuzohet dialogu për interesat e shtetit, për mua, është manifestim i një sjelljeje plotësisht të papërgjegjshme politike. Prandaj, atyre që nuk janë sot këtu, dua t’u kujtoj se dialogu politik nuk është dobësi, por pjekuri politike”, deklaroi Ivanov, duke iu referuar deputetëve të LSDM-së.

Në lidhje me procesin e integrimeve, presidenti tha se, për fat të keq, Këshilli i BE-së nuk ka gjetur mënyrë as këtë vit për të nisur negociatat për anëtarësim.

Ai foli për “standarde të dyfishta” që sipas tij nuk mund ta mposhtin të vërtetë, sepse “ne kemi kaluar nëpër shumë rrugë me gjemba”.

“Na kanë mohuar, fshirë dhe injoruar. Na kanë asimiluar, ndarë dhe shpërngulur. Por edhe krahas gjithë kësaj, ne kemi qëndruar”, tha Ivanov.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat