Ftesat për 28 Nëntorin, Salihu: "Keqardhje" për diplomatët shqiptarë në Shkup

Maqedonia

Ftesat për 28 Nëntorin, Salihu: "Keqardhje" për diplomatët shqiptarë në Shkup

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 12:05

Publicisti i njohur dhe profesor universitar Salajdin Salihu është shprehur i pezmatuar për anashkalimin që atij dhe kolegëve të tij u ka bërë Ambasada e Shqipërisë në Shkup, duke mos i ftuar në mbrëmjen me rastin e 28 Nëntorit.

Në profilin e tij në Facebook, publicisti thotë se kurrë në jetë nuk ka pranuar një ftesë nga Ambasada shqiptare për 28 Nëntorin, ose nga Ambasada e Kosovës, edhe pse siç thotë ftohet përherë nga ambasada të shteteve evropiane dhe nga ajo e SHBA-së.

I pezmatuar nga ky anashkalim, Salihu “premton” publikisht se nuk do të shkelë kurrë në dyert e ambasadave të Shqipërisë dhe Kosovës.

Postimi i plotë i profesor Salihut:

Nuk jam ndjerë keq asnjëherë dhe nuk është se kam shumë dëshirë të shkoj në pritje ambasadorësh edhe pse gjithnjë kam pasur dhe vazhdoj të kem ftesa nga ambasadorë e ambasada shtetesh europiane dhe nga shteti më mik SHBA, prandaj shpesh shkoj për shkak të respektit që më kanë bërë, por më duhet ta them se asnjëherë në jetën time nuk kam marr ftesë për 28 Nëntor nga ambasada shqiptare në Maqedoni. Asnjëherë. Sot e kësaj dite nuk kam shkelur në atë ambasadë, ashtu sikurse shumë miq të mi që kanë dhënë aq shumë për shqiptarët e Maqedonisë.

Nuk e kam konsideruar veten si ndonjë autoritet (sa trishtuese kjo fjalë), që meritoj të më ftojnë, por ama kur shoh se kush ftohet e kush harrohet më kap trishtimi jo për veten por për diplomacinë shqiptare. E të njëjtën mund ta them edhe për ambasadën e Kosovës këtu në Shkup. Të punosh me vite si redaktor e kryeredaktor mediash të rëndësishme, të jesh opinionist i rregullt në media, që shtetet normale e çmojnë e madje të bëjnë ftesa duke të dhënë mundësinë vetë ta caktosh orën e vendin e takimit, e madje ambasadorët vijnë të vizitojnë edhe në qytetin ku jeton, e sa për ftesa për festat e tyre kombëtare as që diskutohet, e të mos takohesh me ambasadorët shqiptarë që janë këtu në Maqedoni, madje sa për kurtuazi, kjo dëshmon se çfarë diplomatësh kemi. Se di se pse kam dëshirë që të lexoj "Një ambasadë e Zulluve në Paris" të Faik Konicës.

Tani e tutje nuk më duhet asnjë ftesë, nëse e kanë ndërmend të ma dërgojnë ndonjëherë. E premtoj publikisht se nuk kam për të shkelur në ato dyer. E nëse ndonjëherë do t'i përshëndes ambasadorët e Kosovës e Shqipërisë në vende publike këtë do ta bëj për respektin ndaj vendeve që i përfaqësojnë, se si individë më krijojnë bezdi. Nga Shqipëria e Kosova unë i takoj dhe i kam miq ambasadorët më të mirë të tyre. Ambasadorët e artit, të kulturës e të shkencës. Kjo më mjafton dhe më kënaq. Ata i takoj me dëshirë. I ftoj vetë, sepse i dua dhe i respektoj. Jam shumë i bindur se shumica e tyre nuk njihen me diplomatët tanë...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat