Skandal/ 11 paralele shqiptare refuzojnë shqipen, ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase

Maqedonia

Skandal/ 11 paralele shqiptare refuzojnë shqipen, ndjekin mësimin në gjuhën maqedonase

Më: 26 nëntor 2014 Në ora: 17:09

Në të gjitha 11 paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, prej vitit të parë deri në vitin e katërt në Shkollën e Mesme të Qytetit ‘Cvetan Dimov’ në Shkup 100 për qind e nxënësve janë shqiptarë. Nxënësit thonë se ata janë joshur që të regjistrohen në paralelet maqedonase për shkak të kriterit më të ulët të pranimit. Sipas tyre, nëse nga viti i ardhshëm u mundësohet, që të gjithë do të kalonin në paralelet me mësim në gjuhën shqipe.

“Në klasën tonë jemi 25 nxënës dhe të gjithë jemi shqiptarë, as maqedonas dhe as boshnjak nuk ka asgjë. Të gjithë janë 100% shqiptarë, të gjithë mësojmë në gjuhën maqedonase, kurse të gjithë jemi shqiptarë”.

“Në klasën tonë jemi 25 nxënës dhe të gjithë jemi shqiptarë, asnjë maqedonas nuk ka, bile as boshnjak e romë nuk ka”.

“Ka paralele maqedonase por e dimë të gjithë ne, jemi dëshmitarë që nuk ka nxënës maqedonas, janë të gjitha etnitë tjera por jo edhe maqedonas”.

“Paralele në gjuhën maqedonase ka, por nxënës maqedonas në këtë shkollë nuk ka. Shumica dërmuese e nxënësve janë shqiptarë dhe një numër të vogël romë dhe turq”.

“Në disa klasa zhvillohet mësimi në gjuhën maqedonase, por asnjë nxënës nuk është maqedonas. Të gjithë janë shqiptarë, kurse mësimin ndjekin në maqedonisht, kjo është pakuptimtë”.

Drejtori i Shkollës së Mesme ‘Cvetan Dimov’ Shaip Zeneli pranon gjendjen me paralelet maqedonase që janë të mbushura me shqiptarë. Ai thotë se Qyteti i Shkupit përcakton numrin e paraleleve që do të hapen çdo fillim vit. Ai thotë se si drejtor nuk ka të drejtë tu përzihet nxënësve se në çfarë gjuhe të vazhdojnë arsimin e mesëm.

“Shqiptarë këtu që janë në këtë shkollë janë 1 mijë e 288 nxënës, turq kemi 48 nxënës, romë 7 dhe boshnjak kemi 5 nxënës, kurse maqedonas nuk kemi asnjë! Ne nuk mund të orientojmë nxënësit se ku të regjistrohen, është vullneti i tyre, dëshira e tyre se ku ata do të paraqiten dhe ne si udhëheqësi e shkollës nuk kemi të drejtë dhe nuk kemi formë se si të ndikojmë se ku nxënësit do të regjistrohen, në shqip, maqedonisht apo turqisht”, tha Shaip Zeneli, Drejtor i Gjimnazit ‘Cvetan Dimov’.

Zeneli pranon se tek paralelet maqedonase kriteri për pranimin e nxënësve është më i ulët, por që është ligjor, pasi sipas tij në ato paralele në afat të parë nuk paraqitet pothuajse asnjë nxënës dhe me ligj, gjatë afatit të dytë patjetër duhet të ulet kriteri. Shkolla e Mesme e Qytetit ‘Cvetan Dimov’ në Shkup numëron gjithsej 1 mijë e 348 nxënës. Në këtë shkollë ka 36 paralele me mësim në gjuhën shqipe, 11 në gjuhën maqedonase dhe 4 me mësim në gjuhën turke.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat