Studentët e USHT-së në Shkup ndërpresin protestën

Maqedonia

Studentët e USHT-së në Shkup ndërpresin protestën

Më: 21 tetor 2014 Në ora: 18:09

Nuk zgjidhet plotësisht problemi me programet studimore të Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyrore në Shkup, pavarësisht protestës dy ditore të studentëve.

Orari nga autoritetet e Fakultetit është shpalosur vetëm për 5 drejtime, ndërkohë që për 3 drejtimet e tjera, premtojnë kompletimin deri në fund të javës, raporton Alsat-M.

Programet e mbetura, do t’i vazhdojnë studimet në Tetovë. Studentët sot kishin takim me prorektorin Fehari Ramadani. Ata vendosën t’i ndërpresin protestat, por nuk tërhiqen nga kërkesa që të mbeten në Shkup, me çdo kusht, deri në përfundim të studimeve.

“Kishim bisedime intensive këto ditë me prorektorin për arsim dhe zgjodhëm opsionin që është më i përshtatshëm për Universitetin dhe studentët. U respektuan interesat e dy palëve dhe nuk u shkel e drejta e studentëve”, tha Faton Curri, Student.

“U arrit një vendim, mirëpo ne si student të Informatikës nuk e pranojmë një vendim të tillë, pasi që ne dëshirojmë t’i mbarojmë studimet aty ku kemi filluar”, u shpreh Vaxhid Aliti, student.

Kryeministri Nikolla Gruevski nuk është në dijeni të problemit në fjalë. Ndërsa ministri Abdilaqim Ademi pranon se kushtet e studiojnë të rinjtë në Shkup, kanë dallim me ato në Tetovë. Ademi sugjeroi që të gjendet gjuhë e përbashkët mes studentëve dhe Universitetit.

“Nuk e di për këtë! Nuk kam dëgjuar dhe nuk e di arsyen. Para disa vitesh promovuam studimet e disperzuara, që studentët të mund të studiojnë sa më afër dhe më lirë, për arsye të transportit dhe harxhimeve. Mirëpo nuk i di arsyet, pasi t’i dëgjoj, do t’i analizojmë”, deklaroi Nikolla Gruevski, Kryeministër.

“Kjo nuk do të thotë se ato duhet të studiojnë në kushte jo të barabarta me kolegët e tyre që studiojnë në qendrën ku është i vendosur fakulteti. Unë kam kontaktuar me rektorin e USHT-së, ai më ka njoftuar se është takuar me studentët dhe se janë duke gjetur zgjidhjen e përhershme që këtyre studentëve t’u krijohen kushte aty ku do të vendosin bashkërisht”, tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Arsimit.

Ndërkohë studentët këmbëngulin në shfuqizimin e vendimit për taksën prej 100 denarëshe për Parlamentin Studentor, dorëheqjen e kryetarit aktual të tij dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Shaban Arsllani përsëri është i pakapshëm për prononcim, ndërsa studentët thonë se nuk do të ndalen deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat