Muri i Kalasë së Tetovës rrezikon vizitorët

Maqedonia

Muri i Kalasë së Tetovës rrezikon vizitorët

Më: 30 gusht 2014 Në ora: 19:20

Përkundër premtimeve të sekretarit shtetëror të Ministrisë së Kulturës Behixhudin Shehabi, se rregullimi i murit të kalasë së Tetovës, do të bëhet brenda muajit Gusht, megjithatë situata vazhdon të mbetet e njëjtë. Gërmadhat në mes të rrugës, pengojnë vizitorët për tu futur brenda, por njëkohësisht ato rrezikojnë edhe jetën e tyre nga shembja e mëtejme e murit.

“Ajo ka mbet me vite, askush nuk i bie pas me e rregulluar, as qeveria, as komuna, askush si bie pas kësaj. Duhet t`ia venë veshin ta rregullojnë sepse i vjedhin gurët i marrin bëjnë vikend shtëpiza lart. Turp i madh, sidomos për Tetovën, jo për tjerët veç për Tetovën”.

“Ka tetë apo nëntë vite që ministria filloi një aksion por mbeti, venduan tabela që të kemi kujdes, kurse ata vetë nuk bëjnë kujdes, ministria është përgjegjëse për këto dhe duhet ti eliminojë këto mangësi. Tash ne kapemi për njëfarë turizmi që të na vijnë nga jashtë tek objektet tona historike kulturore nga ana tjetër ne vet nuk kujdesemi për këtë, me vite rri murri i prishur as veturë mundë të kalojë as në këmbë mundemi çdo ditë shkojmë deri tek hyrja se frikemi mundë të bie mundë të lëndoj ndokënd”.

“Edhe pse muri në Kalanë e Tetovës vazhdon të rri kështu gërmadhë dhe i pa rregulluar, megjithatë, me rëndësi është se në Ministrinë e Kulturës, ky projekt vazhdon të mbetet prioritet për rregullim”.

Ekipi i televizionit Alsat, tentoi disa herrë që të kontaktoj me sekretarin shtetëror të Ministrisë së kulturës për problemin në fjalë, por i njëjti ishte i pakapshëm ndërsa muaj më parë, ai deklaroi se brenda një afati shumë të shkurtër ky mur do të rregullohet.

“Është gjendje alarmante jo rastësisht them ky komplet mbetet edhe më tej në fokusin e interesimit tonë dhe së shpejti me siguri muajin e ardhshëm qendra nacionale për konservim do të ketë obligim me mjete financiare të ndara nga ministria që ta ruaj edhe formën autentike të murit ta pastrojë hapësirën dhe të krijojë kushte për aktivitete restauruese”, deklaroi Behixhudin Shehabi, sekretar shtetëror në Ministrinë e Kulturës

Procesi i restaurimit të Kalasë së Tetovës ka filluar që në vitin 2008. Ajo më parë frekuentohej nga mijëra vizitorë, përfshirë edhe ata nga jashtë vendit por rikthimi i tyre duhet të presë rregullimin e murit dhe të portës hyrëse që tani është shndërruar në gërmadhë që rrezik edhe jetën e kalimtarëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat