Maqedoni-Serbi, marrëveshje për informatat e klasifikuara

Maqedonia

Maqedoni-Serbi, marrëveshje për informatat e klasifikuara

Më: 27 gusht 2014 Në ora: 00:54

Komisioni për politikë të jashtme ratifikoi sot Marrëveshjen Maqedoni-Serbi për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informatave të klasifikuara. Me këtë marrëveshje i hapet rruga shërbimeve sekrete të Maqedonisë, që të kenë qasje në dosjet që gjenden në arkivin e Beogradit. Megjithatë sipas marrëveshjes nuk parashikohet që qasje në informatat e klasifikuara të ketë edhe Komisioni për Verifikimin e Fakteve.

“Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje do të kapërcejmë këtë hendek që ekzistonte në arkivin tonë tek shërbimet sekrete të vendit edhe të atyre që janë nën kompetencë të presidentit. Pritet që me qasjen tek këto dokumente, në Maqedoni të mbërrijnë më shumë dosje politike që janë udhëhequr nga shërbimet sekrete të ish Jugosllavisë, si dhe disa dosje të cilat kanë qenë të udhëhequra nga UDB-ja”, deklaroi Antonio Milloshoski, VMRO DPMNE.

Ndërkohë Artan Grubi nga BDI-ja pyeti se me cilat shtete ka ratifikuar Maqedonia marrëveshje të ngjashme, dhe a ekziston një e tillë me Kosovën dhe Shqipërinë.

“Do të kisha kërkuar që marrëveshje të tilla të bëhen edhe me fqinjët e tjerë, përfshi Republikën e Kosovës, Republikën e Shqipërisë, Republikën e Greqisë dhe Republikën e Bullgarisë. Maqedonia ka prioritete në politikën e jashtme, prioritet është integrimi në NATO dhe në BE, dhe mirëmbajtja e marrëdhënieve të mira dhe korrekte ndër-fqinjësore. Gjithashtu do të kisha pritur nga Ministria e Jashtme që të avancohen edhe në drejtim të komunikimit formal dhe joformal me Kosovën dhe Shqipërinë. Në veçanti në arritjen e marrëveshjes për kalim të kufirit me Republikën e Kosovës vetëm me letërnjoftim, për qytetarët e të dy vendeve tona”, tha Artan Grubi, BDI.

Që marrëveshja për informatat e klasifikuara të hyjë në fuqi, duhet paraprakisht të ratifikohet edhe nga parlamentet e dy vendeve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat