Do të fillojë faza e dytë e sheshit "Skënderbeu"

Maqedonia

Do të fillojë faza e dytë e sheshit "Skënderbeu"

Më: 31 korrik 2014 Në ora: 09:13

Sheshi “Skënderbeu” do t’i nënshtrohet fazës së dytë ndërtimore e cila do të lidhë atë ekzistues, me institucionet kulturore dhe arsimore anembanë tij dhe përtej rrugës. Javën tjetër shpallet tenderi për kompaninë ndërtuese. ALSAT siguroi maketin se si do të duket sheshi. Faza do të kushtoi 10 milion euro, por afati i përfundimit ende nuk është saktësuar.

Kështu do të duket sheshi “Skënderbeu” pas fazës së dytë të ndërtimit, që parashikon lidhjen e sheshit ekzistues me objektin e ri të Filarmonisë, Teatrin Kombëtar Maqedonas dhe Hamamin e Daut Pashës. Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti tha se me përfundimin e fazës së dytë, sheshi “Skënderbeu” do të bëhet sheshi më i madh në Maqedoni, jo vetëm për nga përmasat, por edhe për nga rëndësia.

“Do të jetë sheshi më i madh në Maqedoni, do të jetë edhe më i madh se sheshi aktual që gjendet në anën tjetër të lumit Vardar. Kjo fazë nënkupton fazën kur Sheshi Skënderbeu del prej komunës së Çairit në Komunën Qendër, arrin deri tek Filarmonia, Tetari Kombëtar Maqedonas dhe Hamami i Daut Pashës, krijon lidhje me këto institucione pasi edhe ideja është që sheshi të krijon lidhje edhe me institucionet kulturore, arsimore që janë rreth sheshit me qëllim që në të ardhmen ky shesh të jetë në funksion të kulturës, arsimit dhe organizimeve të shumta. Pretendimi është që ky shesh jo vetëm për nga madhësia por të jetë edhe për nga rëndësia sheshi kryesor i Shkupit por edhe i Maqedonisë’, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Komunës Çair.

Mexhiti thotë se faza e dytë e Sheshit Skënderbeu është 3 apo 4 herë më e madhe se faza e parë dhe për këtë flasin edhe fondet e ndara. Sipas tij, për një javë pritet të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të realizojë aktivitetet ndërtimore.

‘Çmimi projektues i fazës së dytë është mbi 10 milion euro që sigurohet nga Qeveria dhe nëse ecën gjithçka sipas parashikimeve presim të përfundojnë të gjitha procedurat dhe diku në muajin nëntor edhe të fillon realizimi i fazës së dytë. Në të njëjtën kohë po punohet edhe për fazën e tretë, është në projektim e sipër, kjo fazë nënkupton pjesën ku do të bëhet parkingu nëntokësor ku mund të hynë mbi 400 vetura dhe me këtë të njëjtën kohë edhe bëjmë shesh por zgjidhim edhe problemin e Çarshisë së Vjetër, çështjen e parkimit të veturave’, tha Izet Mexhiti, kryetar i Komunës Çair.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat