Sulejman ef. Rexhepi: Protestat pa organizatorë janë të rrezikshme

Maqedonia

Sulejman ef. Rexhepi: Protestat pa organizatorë janë të rrezikshme

Më: 9 korrik 2014 Në ora: 11:44

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, H. Sulejman ef. Rexhepi, në një shkrim ekskluziv për gazetën KOHA bën fjalë për protestat në Shkup dhe më gjerë.
Procesit të montuar, shkruan ndër të tjera ai, nga motivet fetare ortodokse, protestuesit dinjitoz i dhanë karakter politik.

Ky realitet tashmë pushtetit i rrëshqiti nga dora si ngjalë. Protestat po përhapen. Gjithandej po paralajmërohen protesta. Maqedonasit shumë shpejt do të kuptojnë se, duke inskenuar raste ndërfetare, nuk do të mund t’i mbulojnë problemet reale politike. Partitë tona shqiptare, duke i mbyllur sytë përballë kësaj loje të rrezikshme fetare maqedonase nuk do të arrijnë të dëshmojnë se janë faktor ekskluzivisht politik. Jo në rastin e shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët, fatmirësisht janë besimtarë të devotshëm. Në ish-Jugosllavi, të gjithë ata shqiptarë muslimanë që u pajtuan të shkrihen në mentalitetin sllavo-ortodoks, sado që përbënin “një pushtet absolut” – të gjithë përfunduan për faqe të zezë. Fituan vetëm ata që besuan në Zot e Komb. Kështu ka qenë përherë, që kur u krijuan familje, fise e popuj, shkruan ndër të tjera Sulejman ef. Rexhepi.

Protestat, shprehet ai, janë e drejtë demokratike të garantuara edhe me ligj. Protestat inicohen për një qëllim. Por, qëllimi në vetvete a mund të jetë produkt i një anarkie! Po, por produkti i arritur përmes një kaosi dhe anarkie totale, nuk i shërben asnjë kauze kombëtare e as fetare. Për mua janë të papranueshme protestat të cilave nuk u dihet organizatori. A duhet të fshihet organizatori nëse protestat bëhen për të drejta të njeriut, për të drejta kombëtare, fetare, për reformat dhe avancimin e drejtësisë, për punë, për çmime… Bota e civilizuar nuk pranon protesta pa organizatorë. Protestat pa organizatorë janë shumë të rrezikshme, devalvuese dhe të dëmshme. Në protestat që i pamë në Shkup, memoria na regjistroi disa kuadro tepër rrëqethëse. Flamuj të huaj! Flamuj me tekste arabe. Flamuj që nuk i përkasin as kombit tonë, as shtetit tonë, as fesë sonë. Flamuj prej manipuluesve ordinerë! Çfarë duhet flamuri i Arabisë Saudite të valvitet në hundët e policit maqedonas! Unë për vete, nuk e besoj që shteti arab do të lejonte me asnjë çmim që të keqpërdorej flamuri shtetëror i tyre, ashtu siç nuk do të lejonte as edhe Irani, i cili flamurin e zi me Dëshminë islame e përdor kur përcjell ndonjë mehrum për në varr. Unë personalisht më me ëndje do t’i gjuaja personat e tillë se sa do të shprehja mllefin kundër policëve, sepse personat e tillë, pa fije dyshimi, janë njerëz të involvuar me qëllim për ta devalvuar protestën kombëtare apo fetare, shkruan ndër të tjera Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat