TIKA e Turqisë ndihmon USHT-në me pajisje kompjuterike

Maqedonia

TIKA e Turqisë ndihmon USHT-në me pajisje kompjuterike

Më: 11 prill 2014 Në ora: 17:40

Organizata qeveritare TIKA nga Republika e Turqisë i ka dhuruar një donacion kompjuterësh Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT). Kjo është hera e dytë që TIKAe ndihmon USHT-në, pasi më parë i kishte dhuruar rreth 60 kompjuterë.

Donacionin në fjalë e ka pranuar Rektori i USHT-së, Prof. Dr.Vullnet Ameti i cili pas pranimit të këtij donacioni tha se TIKA është një partner i USHT-së dhe ka për qëllim që të na ndihmojë me pajisje kompjuterike.

Sipas Rektorit, Prof. Dr.Vullnet Ameti me këtë donacion USHT ka pranuar rreth 30 laptopë, 10 printerë dhe 18 projektorë. “Fillimisht, e përshëndes drejtorin e Agjencisë TIKA që është Agjenci e themeluar nga Qeveria e Republikës së Turqisë, që ne si universitet kemi bashkëpunim të shkëlqyer.

Me këtë agjenci, sot realizohet faza e dytë e projektit për dhurimin e kompjuterëve, projektorëve dhe printerëve, që në fazën e parë dhuruan mbi 60 copë kompjuterë. Kështu që, faza e tretë do të zhvillohet më vonë.

Ne, në bazë të marrëveshjes që kemi me Agjencinë TIKA, në të ardhmen do të realizojmë bashkëpunim në fusha të ndryshme, në fakultetet tjera, siç janë mjetet që u nevojiten fakulteteve tona apo laboratorëve të ndryshëm në kuadër të bashkëpunimit të universitetit tonë me të gjitha universitetet e Republikës së Turqisë, ku në vjeshtë shpresoj të kemi edhe një konferencë të përbashkët me Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Stambollit.

Kështu që universiteti dalëngadalë ngrihet dhe vazhdon rrugën e universiteteve evropiane dhe ndërkombëtare”, ka deklaruar Rektori i USHT-së, Vullnet Ameti. Drejtori i Agjencisë TIKA për Maqedoni, Teoman Tirjaki theksoi se Agjencia që drejton ai edhe në të ardhmen do të përkujdeset që ta furnizojë USHT-në dhe me kompjuterë të tjerë.

"Ne kemi një bashkëpunim të mirë me institucionet në Republikën e Maqedonisë. Sot jemi në USHT, në kuadër të projektit për pajisjen me kompjuterë të universiteteve, dhe sot Universitetit Shtetëror të Tetovës i dhurojmë një donacion me disa kompjuterë laptopë, dhe duke parë numrin e studentëve që studiojnë në USHT, ne në këtë donacion kemi përfshirë përveç laptopëve edhe disa printerë dhe video-projektorë.

Që kur jemi këtu në Maqedoni, nga dita në ditë ne i kemi zgjeruar aktivitetet tona në këtë drejtim dhe pas mbarimit të këtij projekti do të fillojmë edhe me aktivitete të tjera, dhe shpresoj se ky donacion që sot ia dhurojmë USHT-së do të përdoret në ditë të mira dhe të shfrytëzohen për gjëra të mira", ka deklaruar mes tjerash drejtori i Agjencisë TIKA, Teoman Tirjaki.

Njëherësh, Agjencia TIKA në Maqedoni ka filluar me aktivitete që nga viti 2005 dhe deri më tani në lëmin e arsimit ajo ka ndihmuar me një shumë mbi 13 milionë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat