Mexhiti: 20 mijë të pranishmit në Konventë, përgjigje për oponentët

Maqedonia

Mexhiti: 20 mijë të pranishmit në Konventë, përgjigje për oponentët

Më: 4 prill 2014 Në ora: 16:52

Drejtues të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) kanë organizuar një konferencë për gazetarë në të cilën kanë folur për zhvillimet e fundit politike dhe kryesisht për konventën partiake të mbajtur të enjten mbrëma në palestrën sportive "Boris Trajkovski".

Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti ka thënë se të 20 mijë të pranishmit në Konventën e mbrëmshme partiake i dhanë një mbështetje të fuqishme përcaktimit për të qenë të bashkuar dhe të fortë për të vërë në jetë përcaktimin për t'iu bashkuar familjes së madhe evropiane.

"Në të njëjtën kohë u kërkojmë falje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të BDI-së për të cilët mbrëmë nuk pati vend në hapësirat e Sallës ku u mbajt Konventa.

Kjo na shtyn të mendojmë që herëve të tjera të kërkojmë mjedise më të gjëra sepse ashiqare BDI edhe në këtë mënyrë e dëshmon se është si ai orteku që nuk ndalet. Është një lum i pashtershëm që na jep edhe më shumë fuqi se populli ka kuptuar qartë nijetin, misionin dhe synimet tona", ka thënë Mexhiti.

Sipas tij, Konventa e mbrëmshme është përgjigja më e mirë për oponentët dhe kundërshtarët politik të BDI-së, se proceset e nisura pikërisht nga BDIpër president konsensual, që shqiptarët ta kenë hisen që na takon në shtetin tonë të përbashkët dhe që një orë më parë të integrohemi në NATO dhe BE.

"Janë përcaktime tona strategjike dhe parësore jo vetëm për të mirën e shqiptarëve por edhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Shqiptarët tashmë besojnë dhe janë të bindur se standardi i mirë jetësor, fuqizimi politik dhe integrimet mund të arrihen vetëm me punë të përbashkëta e jo me fjalë boshe", ka thënë ai.

Mexhiti ka vlerësuar se vetëm BDI ka forcë dhe kapacitet t'i realizojë këto qëllime, andaj edhe njëherë kërkojnë që vota shqiptarë t'i bashkohet kësaj lëvizje dhe këtij misioni meqë çdo votë jashtë këtij bashkimi është votë pothuajse e humbur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat