BDI: Na duhet NATO sot dhe në këtë moment

Maqedonia

BDI: Na duhet NATO sot dhe në këtë moment

Më: 4 prill 2014 Në ora: 15:31

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka vlerësuar se Maqedonisë më tepër se kurdoherë i duhet politikë shtetëformuese për anëtarësim në NATO dhe BE dhe jo arsye pse nuk mund të arrihet ky qëllim strategjik i përbashkët.

Sipas kësaj partie, ngjarjet e fundit në Krime dhe prononcimet e zyrtarëve të lartë të NATO për fuqizim të kësaj organizate, janë porosi e qartë se në çfarë drejtimi duhet të lëviz vendi ynë.

Ata thonë se Ukraina është shembulli më i mirë se sa e rrezikshme është që një shtet multietnik të jetë jashtë ombrellës së NATO-s dhe mbështetjes së UE-së.

“Me keqardhje konstatojmë se në skenën politike në Maqedoni, përcaktimi strategjik për NATO mbetet në shumë deklarative se thelbësore. BDI kërkon që nga fjalë te kalojmë në vepra. BDI mendon se Maqedonia ka vendos themelet e shtetit multietnik por i mungon çatia kësaj godine të përbashkët, që të ketë ardhmëri të sigurt dhe perspektivë të qëndrueshme.

Shikuar nga kjo distancë kohore, duket profetike kërkesa e BDI-së dhe liderit të saj Ali Ahmeti dhënë para disa muajsh, Maqedonisë i duhet NATO sot dhe në këtë moment. Nuk ka çati më të sigurt se anëtarësimi në NATO dhe BE”, tha në konferencën për gazetarë zëdhënësi i BDI-së Bujar Osmani, sot kur po shënohet dita e themelimit të aleancës më të fuqishme të botës.

Sipas Osmanit, kërkesa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme ishte mu me këtë qëllim, të kërkoj ide dhe alternativa që do t’u ofrohen qytetarëve për hapjen e proceseve integruese e posaçërisht anëtarësimin në NATO.

“BDI është e vetëdijshme se kjo ide madhore nuk është përgjegjësi vetëm e një komunitet dhe nuk mund ta shty vetëm nga një komunitet cilido qoftë ai andej, edhe shpalosi idenë e kryetarit konsensual me qëllim parësorë, unifikimin e dy komuniteteve më të mëdha në gjetje e rrugës së përbashkëta për këto procese”, vijoi ai.

BDI, shton Osmani, si parti e përkushtuar deri në fund për integrimet euro atlantike, apelon deri tek partitë politike, intelektualët, shoqatat dhe institucionet shkencorë arsimore ta analizojnë me kujdes këtë ide dhe ti bashkëngjiten karvanit të tyre, që do ta përshpejtojmë rrugën drejtë integrimeve euroatlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat