Xhaferi: Me Strategjinë nacionale për zhvillim e trasojmë rrugën e zhvillimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në dy dekadat e ardhshme

Maqedonia

Xhaferi: Me Strategjinë nacionale për zhvillim e trasojmë rrugën e zhvillimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në dy dekadat e ardhshme

Më: 22 shkurt 2024 Në ora: 17:35
Kryeministri Talat Xhaferi

Kryeministri Talat Xhaferi, sot u drejtua dhe e kryesoi seancën e parë konstituive të Këshillit nacional për zhvillim, ku tha se kemi një mundësi historike të punojmë në dokumentin strategjik më gjithëpërfshirës që nga pavarësia e shtetit- Strategjia nacionale për zhvillim, një dokument me të cilin do të trasohet rruga e zhvillimit të shtetit për 20 vitet e ardhshme, njoftojnë nga shtypi i qeverisë.

“Procesi i përgatitjes së Strategjisë nacionale për zhvillim ka filluar në janar të vitit 2021, me iniciativë të zëvendëskryeministrit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të ngarkuar për çështje Ekonomike dhe koordinimin e resorëve ekonomikë dhe investime, Fatmir Bytyqi.

Në kuadër të Sekretariatit të Përgjithshëm është krijuar një strukturë operative për mbështetjen e Strategjisë nacionale të zhvillimit.

Strategjia Nacionale e Zhvillimit e pasqyron gjithë përfshirjen e shtetit tonë. Ky proces përgatitej për gati tre vite, ku morën pjesë rreth 14.000 qytetarë, mbi 250 përfaqësues nga institucionet nacionale, 70 kryetarë komunash, 50 deputetë nga pushteti dhe opozita, përfaqësues të odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, mbi 500 përfaqësues të grupeve të margjinalizuara dhe të cenueshme, si dhe më shumë se 1000 të rinj dhe anëtarë të organizatave rinore.

Strategjia Nacionale e Zhvillimit përfshin aspektet ekonomike, sociale, ekologjike dhe kulturore të zhvillimit të shtetit tonë në dy dekadat e ardhshme.

Me Strategjinë Nacionale të Zhvillimit hapen mundësitë, por edhe krijohen kapacitete për qëndrueshmërinë e shoqërisë në menaxhimin e pasigurisë dhe rreziqeve në rritje në botë, si edhe për t’u përballur me trendët globalë, siç janë ndryshimet klimatike dhe transformimi digjital.

Tani kemi një udhërrëfyes sipas të cilit do të krijojmë se në çfarë lloj shteti duam të jetojmë, çfarë lloj shoqërie do të ndërtojmë në 20 vitet e ardhshme”, tha Xhaferi.

Procesi, shtojnë nga atje, realizohet me asistencën eksperte dhe teknike të UNDP-së,në koordinim me Zyrën e Koordinatorit të përhershëm të Kombeve të Bashkuara, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar dhe Ambasadën e Republikës së Sllovakisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat