Procedura për zgjedhjen e anëtarit të ri në KSHZ ka ngecur prej kohësh, s’ka sqarim nga Komisioni

Maqedonia

Procedura për zgjedhjen e anëtarit të ri në KSHZ ka ngecur prej kohësh, s’ka sqarim nga Komisioni

Më: 5 dhjetor 2023 Në ora: 16:31
Foto ilustrim

Asnjë sqarim nga kryetarja e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime Marija Georgievska, se përse vonohet tashmë me muaj zgjedhja e anëtarit të ri të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Konkursi ka përfunduar prej kohës dhe katër kandidatët e paraqitur nuk kanë informacione se çfarë ndodh me të. Partitë e Lidhjes Evropiane për Ndryshim thonë se u takon atyre një anëtarë në KSHZ, si opozitë shqiptare në Kuvend.

“Dje kishte takim liderësh. Mendoj se do të shfrytëzohen të gjithë mekanizmat demokratikë që anëtari në KSHZ të jetë nga radhët tona, nga opozita shqiptare sepse gjithçka përveç asaj do të nënkuptonte përgatitje për një falsifikim të madh në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale”, tha Burim Latifi, Lidhje Evropiane për Ndryshim.

Lidhja Evropiane për Ndryshim fajëson kreun e Kuvendit Talat Xhaferi për zvarritje të qëllimshme të procedurës. Ata madje thanë se dje Xhaferi kishte lëshuar takimin e liderëve, pasi liderët opozitar kishin kërkuar zgjidhje për KSHZ-në. Kjo bëri që edhe ata ta lëshojnë takimin. Kreu i Kuvendit në takimin e fundit joformal me gazetarët tha se ai ka kryer detyrimin e tij rreth shpalljes së konkursit dhe tani i takon komisionit të vazhdojë procedurën.

“Detyrimi im ishte që të kalojë konkursi. Në Komisionin për zgjedhje dhe emërime duhet t’i shqyrtojnë dhe të thonë nga këto janë kandidatët që i plotësojnë kushtet. Nga ato kandidatë, unë e kam për detyrë që partitë opozitare, që dihet se cilat janë në Kuvend, t’i njoftoj se këto janë njerëzit që i plotësojnë kushtet. Secila prej tyre duhet të deklarohet posaçërisht se për cilin kandidat është. Ligji është i qartë. Unë nuk e interpretoj ligjin. Kush ka nevojë për interpretim të ligjit ka procedurë për interpretim autentik”, u shpreh Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.

Kodi zgjedhor potencon që përbërja e KSHZ-së harmonizohet varësisht ndryshimit të raportit mes pozitës dhe opozitës në Kuvend.

“Nga kandidatët e listës së propozuar, partitë politike në opozitë propozojnë kryetar dhe dy anëtarë të Komisionit Shtetëror të zgjedhjeve, kurse partitë në pushtet propozojnë nënkryetar dhe tre anëtarë të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”, thuhet në Kodin Zgjedhor, neni 27.

Në rast të ndryshimit të partive politike në opozitë ose partive politike në pushtet, Kuvendi harmonizon përbërjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve…”.

Për anëtarin e ri të KSHZ-së nevojitet konsensus i gjerë meqë votimi është më 2/3. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat