Bytyqi: Në fund të këtij viti presim që në Kuvend të votohet Strategjia Kombëtare e Zhvillimit

Maqedonia

Bytyqi: Në fund të këtij viti presim që në Kuvend të votohet Strategjia Kombëtare e Zhvillimit

Më: 26 qershor 2023 Në ora: 14:59
Fatmir Bytyqi

Zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, tha se vetëm përmes gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive do të arrijmë konsensusin e nevojshëm dhe të dëshiruar për miratimin dhe zbatimin e objektivave të përcaktuara me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit.

Në deklaratën e tij për media pas mbledhjes së bordit drejtues për krijimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, zëvendëskryeministri Bytyqi bëri me dije se pak më shumë se një vit e gjysmë më parë filloi krijimi i strategjisë afatgjatë të zhvillimit përmes një procesi frymëzues dhe gjithëpërfshirës, i cili synon të krijojë një dokument që do të përfaqësojë një vizion të përbashkët për zhvillimin e vendit dhe shoqërisë sonë në dy dekadat e ardhshme.

“Strategjia Kombëtare e Zhvillimit do të na japë qartësinë dhe vizionin e nevojshëm për synimet dhe rrugën e zhvillimit të vendit tonë. Krijimi i Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit bazohet në heliksin e katërfishtë, që është shteti, akademia, biznesi dhe sektori civil. Të gjithë janë të përfshirë në bordin drejtues dhe në të gjitha fazat e krijimit dhe konsultimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit. Me krenari them se ky është ndoshta procesi më gjithëpërfshirës që kemi pasur në vendin tonë deri më tani”, tha Bytyqi.

Ai shprehu bindjen se kjo është e vetmja mënyrë, përmes gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes aktive, që do të arrijmë konsensusin e nevojshëm dhe të dëshiruar për miratim, por edhe për zbatimin dhe monitorimin e synimeve të përcaktuara në Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit.

“Heliksi i katërfishtë, pra shteti, akademia, biznesi dhe sektori civil duhet ta sigurojnë pikërisht këtë. Sot ne u takuam si bord pikërisht këtu, në dhomën tonë legjislative, ku shpresoj se pas disa muajsh deputetët do ta votojnë, sepse detyrimi ynë sot është të planifikojmë dhe krijojmë të ardhmen për të nesërmen dhe vitet në vijim”, tha Bytyqi.

Në fund, zëvendëskryeministri Bytyqi informoi se tani po hyjmë në fazën finale të hartimit të vetë strategjisë dhe vlerësimi është se deri në fund të këtij viti ajo tashmë do të votohet fillimisht nga Qeveria e më pas nga Kuvendi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat