ASH ndërpret bashkëpunimin me OBRM-PDUKM-në

Maqedonia

ASH ndërpret bashkëpunimin me OBRM-PDUKM-në

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 19:47
ASH

Vjollcë Berisha, Sekretare e Përgjithshme e ASH-së, nëpërmjet një konference për shtyp në selinë e Tetovës ka bërë të ditur se Aleanca për Shqiptarët do të ndërpresin bashkëpunimin e deritanishëm që kanë pasur me OBRM-PDUKM-në.

Kjo vjen si pasojë e incidentit të djeshëm gjatë protestave ku vëllai i një prej eksponentëve të ASH-së me detyrë drejtor në Ndërmarrjen e Higjienës Komunale shtiu me armë zjarri, ndërsa ky i fundit u shkarkua nga detyra nga ana e kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska. Debatit ka zgjatur gjatë gjithë ditës me kryetarin e Gostivarit, Arben Taravari dhe kryetares së Shkupit, Danella Arsovska.

“Mbrëmë i gjithë opinioni ishte dëshmitarë edhe i një skenari për të sulmuar shqiptarët e Shkupit dhe pronën e tyre, ngjashëm si skenarët e kaluara ku për qëllime dhe pazare politike shqiptarët bëheshin kurban, ndërsa BDI, LSDM dhe OBRM-PDUKM përfitonin pikë politike. Rruga drejt BE-së nuk guxon të merr haraç pronën dhe jetën e qytetarit shqiptar. Këtë e themi hapur dhe zëshëm për ata që në emër të evropianizimit e bëjnë kurban shqiptarin dhe kundrejt atyre që protestat kundër evropiane i drejton kundër popullit më evropian, popullit shqiptar.

Kontaminimi dhe metastazimi i së “Majtës” në OBRM-PDUKM, rikthimi i skenarëve të përbashkëta të BDI-së dhe OBRM-PDUKM si në kohën e Gruevizmit, tani me mbështetje të LSDM-së, janë lehtë të lexueshme dhe të patolerueshme për Aleancën për Shqiptarët”, theksoi Berisha.

Ajo tha se nuk lejojmë që të jemi as pjesë e as viktima të skenarëve të tilla. Aleanca për Shqiptarët nuk lejon as dëmtimin e shqiptarëve, as nënçmimin e shqiptarëve dhe as të shkelet krenaria e shqiptarëve.

“Pa marrë parasyshë tendencave të përhershme për ta njollos Aleancën për Shqiptarët, rrugëtimin e saj të pastër dhe të drejtë, drejt vlerave perëndimore, drejt barazisë së tërësishme të shqiptarëve këtu në Maqedoninë e Veriut, njoftojmë opinionin se bashkëpunimet që kanë dashur të ja mveshin Aleancës janë vetëm insinuata në mendjet e liga të oponentëve tanë politik. Dhe në qoftë se duan edhe një herë rikonfirmim, Aleanca për Shqiptarët është e shqiptarëve dhe e kurrkujt tjetër, është e popullit dhe e kurrkujt tjetër, është në Aleancë me NATO-n dhe perëndimin dhe me kërkënd tjetër. Dhe për ta konfirmuar këtë si pasojë e zhvillimeve të fundit, thirrjeve anti shqiptare, inskenimeve të cilat mëndja jonë e shëndoshë as nuk mund ti kuptojë, ne i japim fund çdo lloj bashkëpunimi për sa kohë këto subjekte politike nuk reflektojnë dhe nuk ndërpresin logjikën e përfitimit politik duke anatemuar shqiptarët”, deklaroi Vjollcë Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat