Fëmijët jetim, një kauzë e përbashkët e gjithë parlamentit

Lajme

Fëmijët jetim, një kauzë e përbashkët e gjithë parlamentit

Më: 20 maj 2018 Në ora: 16:22
Kuvendi i Shqiperisë

Nën kujdesin e veçantë të Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Shoqata Kombëtare e Fëmijëve Jetim të Shqipërisë organizoi ditën e sotme një aktivitet me fëmijët jetim ne mjediset e sallës se seancave plenare.

Të pranishëm në aktivitet ishin Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që janë edhe anëtarë të grupit “Miq të Fëmijëve”, avokatja e popullit, Erinda Ballanca dhe përfaqësues të tjerë te OJF-ve qe ushtrojnë aktivitetin e tyre në mbështetje të fëmijëve jetim.

Në veprimtarinë e sotme fëmijët bashkë me të ftuarit simuluan një seancë plenare ku përmes fjalimeve të mbajtura shprehën kërkesat dhe problematikat e tyre në lidhje me statusin e jetimit. Figura të tjera të politikës dhe parlamentit përcollën mesazhe te solidaritetit dhe te mbështetjes se tyre për fëmijët jetim.

Në kuadër të këtij aktiviteti mbajti përshëndeti Presidenti i shoqatës kombëtare të fëmijëve jetim të Shqipërisë, Lulzim Resuli i cili shprehu mirënjohjen e tij për të pranishmit në këtë aktivitet të rëndësishëm për ta sot që bashke me fëmijët u gjendën në Parlamentin e Shqipërisë, pikërisht sot me idenë e qartë se secili prej këtyre fëmijëve nesër mund të jenë qytetar të denjë për tu ulur në këto karrige e për të vendosur për të drejtat e tyre.

Fëmijët e pranishëm përcollën nga foltorja e Kuvendit, emocione të veçanta dhe të ndjera të cilat ishin reale dhe domethënëse për ta, por u mirëpritën me ndjeshmëri dhe nga te pranishmit e tjerë.

Më tej, avokatja e popullit, Erinda Ballanca inkurajoi fëmijët dhe përçoi impulse e mesazhe pozitive për te ardhmen e tyre, e cila është premtuese dhe plot angazhime për ta.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se të drejtat e fëmijëve jetim duhet të respektohen duke krijuar kushte dhe mënyre jetese më të mire dhe dyert e institucioneve do të jenë gjithmonë të hapura për ta. “Po punojmë për mbështetjen e familjeve biologjike, që fëmijët në Shtëpinë e Fëmijës  të kthehen në familjet e tyre. Por gjithashtu fëmijët të cilët kanë humbur familjet e tyre, të mund të jetojnë në familje alternative apo familje kujdestare.”-u shpreh Manastirliu.

Orjola Pampuri në cilësinë e anëtares së Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, foli para fëmijëve jetim ku theksoi: “Dua t’ju them qe ju duhet bëheni të mbarë, ju do bëheni të mbarë, sepse keni nëna të forta, keni mbështetje të fortë.”

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla shprehu gjithashtu solidaritetin e tij dhe cilësoi se të drejtat dhe shërbimet e fëmijëve jetim janë një kauzë e përbashkët e gjithë parlamentit, pa dallime politike si dhe përgjegjshmëri sociale e shtetit.

Në mbyllje të veprimtarisë, Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi mbajti një fjalë përshëndetëse për fëmijët jetim të pranishëm dhe për të tjerët të cilët gjenden në vende të ndryshme të Shqipërisë. “Kemi marrë rekomandime dhe sugjerime si në ditën e djeshme edhe të sotmen, ka dalë në pah nevoja e ndryshimit të ligjit për Statusin e Jetimëve. Pajtohem me kërkesën që bëri z.Balla dhe shqetësimin e znj.Pampuri për të ngritur një grup pune për të riparë këtë ligj.”

Fëmijët e pranishëm kaluan një paradite të ngrohtë sot në ambientet e Parlamentit ku shkëmbyen ide me të pranishmit dhe me njëri tjetrin, mësuan gjëra të reja dhe ndryshe nga ditët e tjera kjo e Dielë ishte shumë e veçante për ta siç u shprehën vetë./ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat