MPB hesht për keqtrajtimin e Grupit të Kumanovës, zv/ministri Nuhiu kërkon "prova"

Kumanova

MPB hesht për keqtrajtimin e Grupit të Kumanovës, zv/ministri Nuhiu kërkon "prova"

Më: 15 qershor 2016 Në ora: 17:53
Ilustrim

Askush në Ministrinë e Brendshme të Maqedonisë nuk tregon nëse janë ngritur procedura kundër pjesëtarëve të policisë për keqtrajtimin e pjesëtarëve të grupit të Kumanovës. Zëvendësministri i brendshëm Agim Nuhiu madje nuk është i sigurt nëse pjesëtarët e grupit të Kumanovës i keqtrajton policia. Ai kërkon fakte për të marrë masa, raporton Alsat-M.

“Kemi angazhuar shërbimet për të verifikuar faktin se a janë pjesëtarët e MPB-së të involvuar në rastin. Pjesëtarët e MPB-së bëjnë vetën sigurimin transportin nga burgu në gjykatë dhe anasjelltas. Masat merren pas verifikimit të fakteve”, tha njeriu i dytë i policisë maqedonase Agim Nuhiu.

Keqtrajtimi i pjesëtarëve të grupit të Kumanovës vazhdon tashmë disa muaj edhe pse avokati Naser Raufi thotë se për këtë rast është ankuar në Prokurori por edhe tek përfaqësitë ndërkombëtare.

“Efektin mund ta bëjë vetëm Prokuroria, duhet të sanksionohen këta persona që bëjnë këtë maltretim, vetëm ai është moduli që të ndërpritet ky maltretim. Pa u dënuar ndonjë që vepron, se nuk janë përgjegjës vetëm njësitë speciale por edhe gardianët, se ata janë përgjegjës për transportin”, deklaroi avokati Raufi.

Edhe Avokati i Popullit Ixhet Memeti ka iniciuar në prokurori disa procedura kundër pjesëtarëve të MPB-së , por deri më tani nuk është ngritur asnjë proces kundër tyre.

Jozyrtarisht mësohet se ndër më të keqtrajtuarit është Beg Bajra i cili e pëson më së shumti për shkak se në trup mban tatuazhe të Adem Jasharit, Shqipërisë etnike dhe Skënderbeut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat