AAK e Nisma kërkojnë Komisionin të ri për demarkacionin

Politika

AAK e Nisma kërkojnë Komisionin të ri për demarkacionin

Më: 7 qershor 2016 Në ora: 12:47
Demarkacioni

AAK dhe Nisma vazhdojnë të insistojnë se komisioni shtetëror për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, gaboi. 

 Ata duan që në këtë drejtim të mos humbet kohë. Në Qeveri thonë se mirëpresin çdo ide, duke propozuar që kundërshtimi të marrë formën e normës ligjore dhe të mos mbetët vetëm “si ide”.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ditë më parë hodhi idenë e krijimit të një komisioni të ri për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Ideja përkrahet edhe nga kreu i AAK-së Ramush Haradinaj. Ky i fundit thotë se nuk duhet humbur kohë në këtë drejtim, por që nuk shpjegon se si do të mund ta ndihmonte konkretisht procesin.

 “Ne jemi shprehur pozitivë për të gjitha idetë, që gabimet të përmirësohen me kohë, pra, gabimi që ka ndodh me komisionin tonë, jemi dakord për veprime të tilla. Ajo që na shqetëson vërtet shumë, është humbja e kohës. Nëse ne e kemi interes liberalizimin e vizave! Dhe e kemi interes këtë, atëherë duhet që Kosova vërtet të marrë hapa të qëndrueshëm që mos të rrezikohet ky proces, që mos të vonohemi në kohë”, ka thënë Haradinaj. 

Ndryshe, qeveria mirëpret çdo ide, duke thënë se në aspektin demokratik vlen të shteret çdo mundësi. Këshilltari i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu ,tha për Radio Kosovën se propozimet dhe idetë, për të qenë serioze duhet të votohen në Kuvend.

 “Tani këto propozime janë të vlefshme por që të kenë legjitimitetin, forcën e kundërshtimit të kësaj që po ofrojmë ne, ato duhet të jenë produkt i një analize të tërësishme dhe të kenë legjitimitetin e gjithë kuvendarëve duke respektuar Kushtetutën dhe procedurat ligjore. Ato mund të diskutohen dhe asgjë të keqe këtu, por që t’i marrim ne seriozisht dhe qytetarët e Kosovës që t’i pranojnë seriozisht të gjitha këto propozime duhet që ato të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës, t’i respektojnë procedurat dhe të kenë legjitimitet në kuptimin që për to të votohet. Jo të mbesin vetëm propozime tek-tuk për interesa të ndryshme", ka thënë ai.

Abdullahu thotë se ratifikimi  i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi  do të procedohet shpejt në Kuvend, në mënyrë që fundi i verës siç thotë ai të mos i zë qytetarët e Kosovës pa liberalizimin e vizave.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat