Për jetë të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm ta zhvillojmë ekoturizmin dhe bio-bujqësinë

Opinione

Për jetë të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm ta zhvillojmë ekoturizmin dhe bio-bujqësinë

Nga: Behxhet Mustafa Më: 4 qershor 2016 Në ora: 19:31
Behxhet Mustafa

Tashmë është bërë traditë që në vendin tonë ta shënojmë “Ditën ndërkombëtare të mjedisit - 5 Qershorin” që moto e ka mjedisin dhe shëndetin. Me këtë shkrim, do te doja të rris vëmendjen e opinionit për disa aktivitete në shërbim për një jetë të shëndetshme tonën dhe një zhvillim të qëndrueshëm. Republika e Kosovës dallohet me vlera të larta trashëgimisë natyrore dhe kulturore dhe shume zona me bukuri te rralla. Shkalla e zhvillimit të turizmit, por dhe aktiviteteve të tjera në Kosovë deri në fillim të këtij shekulli nuk paraqiste rrezik për zonat e natyrës. Lufta e vitit 1999 nxiti valën e re të ndryshimeve të natyrës sonë. Pas përfundimit të luftës në vitin 1999 ka nisur një mënyrë re e aktiviteteve zhvillimore në çdo aspekt pra edhe te turizmit.

Si rezultat i kësaj në shumë vende me vlera të larta të biodiversitetit, vlerave peizazhore, burimeve ujore, janë ndërtuar objekte të paplanifikuara që ndikojnë negativisht në ato mjedise në shumë aspekte si: vizuel, mjedisor e arkitektonik. Në shumë raste kjo dukuri ka ndikuar që popullata lokale të ketë probleme për shkak të dëmtimit të tokave, ndotjes së ujit, kufizimit të kullotjes së bagëtive etj., si dhe paraqitjen e problemeve të caktuara sociale. Ndërtimet e paplanifikuara dhe të pa kontrolluara kanë ndikuar dhe në humbjen e vlerave natyrore peizazhore, të biodiversitetit, në ndryshimin e mikroklimës së atyre zonave, etj. Shembulli më konkret është rasti i Prevallës ku rrëzë zonës strikte të mbrojtur për rreth 60 vite e njohur si “ Maja e Rrobullit” janë bërë ndërtime të pa kontrolluara me pasoja për bashkësinë bimore endemorelikte të rrobullit (Pinetum heldreichii typicum) me rëndësi të madhe shkencore.

Nga gjashtë shtyllat që ka turizmi, ajo që më së shumti ndihmon në zhvillimin e qëndrueshëm është ekoturizmi, ndërsa nga veprimtaria bujqësore është bio-bujqësia. Bazë e kryesore për zhvillimin e ekoturizmit dhe atij malor në Republikën e Kosovës janë 173 zona të mbrojtura të natyrës ku bëjnë pjesë: 19 rezervate të natyrës, 2 parqe kombëtare, 147 monumente të natyrës, 3 peizazhe te mbrojtura, 2 parqe natyrore si dhe gjeotrashëgimia. Në Kosovë e veçmas në “parkun kombëtar Sharri”, ne ‘Bjeshkët e Nemuna” dhe zonën e Gollakut dallohen destinacione ekoturistike unikate me vlera edhe të nivelit botëror, që vërtet janë vende ideale që ju ofrojnë turisteve pamje të këndshme. Vendi jonë dallohet me kushte për zhvillimin e ekoturizmit duke u bazuar në vlerat natyrore që posedon, por vetëm duhet promovuar destinacionet ekoturistike dhe gjeoturistike që janë me dhjetëra, si dhe stanet që tradicionalisht në shekuj janë shfrytëzuar e që tash gjenden në zonat e caktuara të mbrojtura. Nga të dhënat e autorëve të ndryshëm dihet se stanet dhe në kohën e Perandorisë Osmane kanë shërbyer si bujtina dhe shërbime të ushqimit tradicional për udhëtarët e rastit. Nga përvojat e vendeve të tjera ekoturistët preferojnë qëndrimin në stanet tradicionale. Stanet ekzistuese munden të shndërrohen lehtë në bujtina, por dhe të zgjerohen në fshatra ekoturistike ku vizitorët kanë mundësi të shijojnë mishin, qumështin dhe produktet e tij të përgatitura në mënyrë tradicionale dhe plotësisht bio. Për investimet në mjedis dhe bujqësi e veçmas në bio-bujqësi, Komisioni Evropian ka në dispozicion rreth 600 milion euro për vit, për shtetet kandidate dhe kandidate potenciale për hyrje në BE. Deri tash Kosova si kandidat potencial që është, nuk ka shfrytëzuar asnjë mundësi të tillë për shkak të mungesës së projekteve në këto fusha.

Për zhvillimin e bio-bujqësisë bazë kryesore janë kullotat në sistemet malore tona ndër më të mëdhatë në Ballkan siç janë Malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna apo Alpet shqiptare, por jo pak të rëndësishme janë dhe kullotat në zonën e Gollakut dhe zona të tjera. Për kullotat dallohet veçmas Sharri ku duke filluar prej masivit të Lubotenit e deri te Malet e Korabit pandërprerë shtrihen kullotat në një gjatësi prej rreth 84 km me gjerësi mesatare prej 15-35 km dhe në një lartësi mbidetare prej 2000-2250 metra. Zona e kullotave të pandërprera në Sharr është më e madhja në Ballkan dhe një ndër më të mëdhatë në Evropë. Nga të dhënat e kohës së pushtimit Romak, Bizantin dhe Osman është vërejtur se këto kullota kanë qenë mundësi e madhe e tyre që të kullosin prej 100.000-200.000 krerë bagëti. Në ish jugosllavi, ndërmjet viteve 1960-1980 vetëm në kullotat e Sharrit në komunën e Dragashit janë ushqyer rreth 30.000 krerë bagëti. Prandaj pushtimi i hapësirave shqiptare në Ballkan, nuk ka pasur synim vetëm minierat, tokat pjellore, por dhe pyjet e kullotat me një rëndësi të madhe për sigurimin e nevojave për ushtritë dhe administratat e tyre.

Nëse dëshirojmë të arrijmë qëllimin e një jete të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm në Kosovë duhet ruajtur më shumë natyrën e egër të masiveve malore tona për të mbrojtur biodiversitetin për t‘u shijuar më shumë nga ne dhe nga vizitoret, duke plotësuar nevojat ekonomike, ekologjike, kulturore dhe të tjera për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme. Strategjitë tona si ajo e pyjeve e veçmas “Strategjia e biodiversitetit” që është koha të rishikohet këtë vit duhet të mbështetet në tri shtylla: bashkëpunimin me komunitetin, zhvillimin e qëndrueshëm dhe edukimin mjedisor të vazhdueshëm. Dihet se popullata që ka jetuar dhe ka zhvilluar aktivitetet e veta me shekuj në ato zona që sot konsiderohen me vlera të larta gjeomorfologjike, hidrologjike, peisazhore, të biodiversitetit etj., ka ditur t’i shfrytëzoj për nevojat e mbijetesës, por dhe t’i ruaj për gjeneratat në vazhdimësi. Kanë qenë dhe sisteme të tjera politike, rrethana tjera demografike, tekniko-teknologjike,etj., që kanë ndikuar, por megjithatë është fat i madh për gjeneratën tonë që ato gjenerata i kanë ruajtur deri sot, dhe kemi mundësinë t’i shijojmë këto vlera natyrore, por dhe një obligim që t’i shfrytëzojmë në mënyrë të qëndrueshme që t’ju përcjellim dhe gjeneratave pas nesh. Kjo arrihet vetëm nëse kultivojmë një edukim të vazhdueshëm në gjenerata për vetëdijesim se jeta dhe mirëqenia jonë është e mbështetur në atë se sa do ti ruajmë komponentët e mjedisit nga shkatërrimi siç është toka, uji, ajri dhe biodiversiteti. Në sistemet e kaluara veçmas në atë komunist, krimet ekologjike-mjedisore janë shkaktuar nga vete sistemi e shumë pak nga individët apo grupet e individëve të caktuar, por në sistemin demokratik ku po jetojmë, ato po i shkaktojnë individët apo grupet e individëve shpesh herë me tolerancën e institucioneve shtetërore. Në të shkuaren nuk kuptonim pasojat e veprimeve tona, por sot ato i kuptojmë, prandaj nuk ka justifikim për këtë që po bëjmë në natyrë dhe mjedis në përgjithësi.

Që të arrijë shteti ynë objektivat për një jetë të shëndetshme dhe zhvillim të qëndrueshëm duhet që së pari institucionet (por edhe vete partitë politike) në programet e tyre të kenë prioritet të mirëfilltë mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm që nuk e kemi parë deri tash me qëllim që Kosova mos të mbetet ndër vendet me mjedisin më të degraduar në Evropë.

*Autori është profesor në Departamentin e Biologjisë (FSHMN) dhe kryetar i Shoqatës së Ekologëve të Kosovës.

 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat