Tomë Gashi: Azem Syla mbajti premtimin

Lajme

Tomë Gashi: Azem Syla mbajti premtimin

Më: 29 prill 2016 Në ora: 12:53

Avokati Tomë Gashi ka konfirmuar se Azem Syla tashmë është kthyer në Kosovë dhe ka mbajtur premtimin e dhënë.

Gashi rikujtoi se Syla ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“Ajo që mund tua konfirmoj është që ai është kthyer në Kosovë, ashtu siç ka premtuar. Gjithashtu e ka mbajt fjalën e dhënë duke dhënë dorëheqje nga deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Tani do të bashkëpunoj me drejtësinë, dhe tash presim procedurat të rrjedhin në mënyrë normale”, ka thënë Gashi.

Ndryshe, Azem Syla është kërkuar që dy ditë nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës nën dyshimin për tjetërsim të paligjshëm të pronave shoqërore në Kosovë.

Ndryshe, dy ditë më prokuroria e shtetit, ka njoftuar se operacioni i kërkimit dhe arrestimit është bërë në kuadër të një hetimi penal.

“Rreth 350 policë kanë bastisur rreth 42 lokacione, që lidhen me 40 të dyshuar të një hetimi penal që është duke vazhduar. Gjashtë persona janë arrestuar gjatë operacionit… Hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla”, thuhet në këtë njoftim.

Më tutje Prokuroria e Shtetit sqaron se anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë.

“Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe te Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal. Një pjesë e konsiderueshme e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës, më 26 prill 2016. Në radhë të parë, ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik. Rasti përfshin veprat penale të krimit të organizuar; Pastrim parash; keqpërdorim i pozitës zyrtare; falsifikim i dokumenteve zyrtare dhe dhënie dhe marrje e ryshfetit”, sqaron Prokuroria e Shtetit.

Sipas këtij njoftimi disa të pandehur në hetim janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi.

“Gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krimi të Organizuar në Beograd. Urdhrat për arrest në lidhje me disa të pandehur nuk janë ekzekutuar, pasi që këta të pandehur janë arratisur ose janë jashtë vendit. Udhëheqësi i grupit, Azem Syla, deputet i Parlamentit, është në arrati në këtë moment. Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme të Policisë së Kosovës gjatë dhjetë ditëve të fundit për ta përcaktuar vendndodhjen e Azem Sylës, ai nuk është gjetur dhe i ka ikur administratës”, përfundon njoftimi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat