Spahiu: Mustafa e Thaçi e kanë ofenduar rëndë Haradinajn

Lajme

Spahiu: Mustafa e Thaçi e kanë ofenduar rëndë Haradinajn

Më: 8 shkurt 2016 Në ora: 16:50

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka mbledhur sot liderët e koalicionit qeveritar, kryeministrin Isa Mustafa, zëvendësin e tij Hashim Thaçi, dhe kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj.

Edhe pse ftesa ishte bërë për të gjithë liderët nga Opozita, ishte vetëm Haradinaj që iu përgjigj pozitivisht ftesës.

Shkuarja e Haradinajt në takim u komentua shumë nga analistë e opinionistë, por edhe nga kolegë opozitarë të Haradinajt. Driton Çaushi nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, shkuarjen e kryetarit të AAK-së në takim e cilësoi si flirtim me Qeverinë dhe dëmtim të qëndresës opozitare disa mujore.

Vetë Haradinaj u shpreh se në takim do të shkojë për t’i mbrojtur kauzat e Opozitës dhe deklarimet Çaushit i cilësoi si të ngutshme.

Në takimin që u mbajt në mëngjesin e sotëm tek presidentja, të pranishëm ishin edhe ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie dhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

Prania e tyre nuk mjaftoi për një dakordim mes palëve, Haradinaj nga takimi doli me qëndrimin me të cilin hyri –“Tek presidentja do të shkojë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme” tha një natë më parë Haradinaj, i njëjtë ishte deklarimi i tij edhe pas takimit.

Ai ka shtuar se Opozita është më e bashkuar se kurrë dhe se është duke dhënë kontribut që kjo gjendje të përfundojë. Madje ai ka bërë të qartë se protesta e 17 shkurtit do të mbahet dhe ka bërë ftesë për pjesëmarrje.

Gjithë këtë tentim të Jahjagës për dalje nga kriza analisti politik Nexhmedin Spahiu e sheh si një shkëndijë për dalje nga kriza, por publicisti nga Mitrovica ftesën për Haradinajn e konsideron si ofendim nga pushteti.

“Po shoh shkëndija për përpjekje për dalje nga kriza. Por tepër larg zgjidhjen e krizës. Ftesa për opozitën nuk ishte aspak serioze. Me këtë rast Mustafa e Thaçi e kanë ofenduar rëndë Haradinajn me propozimet që i kanë bërë,” ka thënë Spahiu.

Spahiu në pyetjen e Klan Kosovës për qëndrimet e Haradinajt dhe mundësisë së çarjes së Opozitës është shprehur se lideri i AAK-së ka pasur qëndrime normale dhe ka shtuar se kësaj here duket se nuk ka rënë në grackën që zakonisht bie. Ai ka shtuar se çarja e Opozitës mund të ndodhë vetëm në një rast.

“Çarja mund të ndodhë nëse Vetëvendosje nuk i lejon Haradinajt postin e kryeministrit të cilin ai e synon,” është shprehur Spahiu.

Nga takimi me qëndrime të njëjta dolën edhe liderët e koalicionit – paçka nuk ka lëvizje pozicioni – rrjedhimisht vazhdim të krizës institucionale.

Thaçi pas takimit është shprehur se Haradinaj e dëshiron vetëm pushtetin dhe nuk e ka ngritur fare çështjen e Asociacionit dhe Demarkacionit, por qëllim i tij kanë qenë vetëm zgjedhjet e parakohshme. Në sinkron me bashkëpartnerin e koalicionit ishte edhe kryeministri Mustafa, ai përsëriti frazën për kthim në Kuvend të Opozitës, dialog dhe jo përdorim të dhunës, pa dhënë shenja për një tërheqje eventuale.

Kësisoj publicisti dhe analisti Spahiu daljen nga kriza e sheh vetëm atëherë kur dorëhiqet Mustafa dhe vendi të shkojë në zgjedhje.

“Nuk ka rrugëdalje nga kriza pa dorëheqjen apo shkarkimin e Isa Mustafës. Zgjedhja e Presidentit gjithmonë do të prodhojë krizë politike e institucionale derisa sa nuk ndryshon kushtetuta dhe Presidenti zgjidhet drejt nga qytetarët,” është shprehur Spahiur.

I pyetur se cili duhet të jetë veprimi i Opozitës, Spahiu është përgjigjur se edhe opozitarët duhet ta caktojnë kandidatin e vetë për President, madje publicisti ka dhënë edhe një datë për zgjedhje të reja nacionale.

“Koalicioni opozitar duhet të ofrojë pjesëmarrjen në Parlament për të votuar ndryshimin e kushtetutës, përmes të cilave Presidenti duhet të zgjidhet drejt nga qytetarët dhe të ofrojë për datë të zgjedhjeve nacionale gjashtë marsin 2016, si dhe kandidatin e tyre për President në mënyrë që në të njëjtën kohë të zgjidhet edhe Presidenti edhe përbërja e Parlamentit të ri,” ka përfunduar Spahiu.

Ky tentim për dalje nga kriza vije pak para protestës së radhës nga Opozita e cila është caktuar në datën e pavarësisë së Kosovës më datë 17 shkurt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat