Arrestimi i Albin Kurtit për ta prish festën kombëtare KuqeZi!

Lajme

Arrestimi i Albin Kurtit për ta prish festën kombëtare KuqeZi!

Më: 13 tetor 2015 Në ora: 09:59

Ndërsa, miliona shqiptarë nga të katër anët e botës po vazhdonin të shijonin festën kuqezi, të nisur 24 orë më parë në Armeni, dhe të zbarkuar në të gjitha sheshet e qyteteve ku ka shqiptarë, një festë në të cilën shqiptarët ishin në delir, ndodhi befasishëm arrestimi i Albin Kurtit.
Albin Kurti po të ishte se duhej të arrestohej për hedhjen e bombolës së gazit, gazit lotsjellës, nuk kishte vend më të mirë për arrestim se sa në flagrancë.
Çfarë policie, prokurorie dhe institucionesh kemi ne, të cilat nuk arrijnë ta vlerësojnë rrezikshmërinë e një situate, siç thuhet tani me potencial vrasjen e njerëzve, ndërsa në momentin e ndodhjes policia rrinte e vegjetonte së bashku me Prokurorinë e shtetit, dhe gjetën momentin joflagrant të arrestimit të Albinit.
Pak njerëz besoj ta kenë mbështetur atë akt të Albinit, por ta arrestosh një deputet sikur të ishte një hajn ordiner, pa fletarrest, pa vendim gjyqësor, në momentin që është duke udhëtuar nuk është gjëja e duhur, absolutisht kur ke të bësh me një situatë, ku çdo veprim mund të konsiderohet politik. Në shumë shtete post komuniste ka pasur dëme edhe më të mëdha, bile edhe viktima, kryesisht për shkak të agresivitetit të protestuesve, sikurse është 21 janari në Shqipëri, kur protestuesit e Edi Ramës po bëheshin gati t’ia venin flakën Kryeministrisë. Ranë tri viktima, por askush nga opozita nuk u mor në përgjegjësi, se ajo ishte që e krijoi dhunën, tensionin dhe si rezultat edhe ndërhyrjen që çoi në shuarjen e jetëve të pafajshme.
Pra, një situatë kolektive, ku dëmi është kolektiv, e nxitur dhe orkestruar nga opozita pësuan disa individë për shkak të një urdhri të vonuar apo të papërgjegjshëm dhe ranë viktimat. Procesi gjyqësor vazhdon të jetë i drejtuar kundër pushtetit.
Një situatë e atillë shumë lehtë ka mundur të ngjajë edhe mbrëmë. Kur opozita përnjëherë mobilizoi militantët e saj, dhe filloi të sulmonte policinë, sërish me gur dhe me gjithfarë gjërash. Një agresivitet në rritje i reagimit të opozitës mund të prodhonte fare lehtë edhe ndonjë viktimë civile, dhe sërish përgjegjësia do të binte mbi hallkën komanduese në polici, dhe jo tek opozita, disa më agresivët e të cilës do të mund të dënoheshin me dënime simbolike, por zinxhiri komandues do të duhej të vuante tërë pasojat.
Por, kjo situatë tregoi dy gjëra kryesore. Se fuqia e veprimit ishte politike, për të penguar atë bashkim shpirtëror të shqiptarëve, të krijuar si një motor bashkimi me fitoren në Armeni dhe arritjen e kualifikimit të drejtpërdrejt në Francë, e arritur nëpërmjet një kombëtareje që prezanton tërësisht Shqipërinë etnike, me lojtarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Kosova Lindore e nga mërgata, bile e dominuar nga hapësira jashtë Shqipërisë londineze. Pra, ky ishte një veprim para së gjithash i strukturave që manipulohen nga Serbia, për të prishur çdo festë dhe çdo ekzistencë gëzimi kombëtar ndër shqiptarë.
E dyta, një tollovi e tillë, askujt nuk i konvenonte më shumë se sa Serbisë, një natë para se në Bruksel të bisedohet edhe njëherë ndërmjet kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa dhe atij të Serbisë Aleksandër Vuçiq në Bruksel. Pra, i konvenonte Serbisë dhe forcave proserbe në Kosovë dhe gjetkë, që Kryeministri i vendit të shkoj në bisedime me një Prishtinë të katandisur në blozë dhe kaos. I. M.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat