​Një klasë në “Ismail Qemajli” bojkoton mësimin, duan mësuesen që kanë pasur

Lajme

​Një klasë në “Ismail Qemajli” bojkoton mësimin, duan mësuesen që kanë pasur

Më: 2 shtator 2015 Në ora: 18:54

Derisa sot në të gjitha shkollat e Kosovës është mbajt mësimi i rregullt, për nxënësit e klasës së dytë të shkollës fillore “Ismail Qemajli”, nuk ndodhi një gjë e tillë.

Nxënësit e klasës 2/7 në këtë shkollë dje dhe sot kanë bojkotuar mësimin, pasi veç brenda një viti atyre iu është ndërruar për të pestën herë mësuesja. E për prindërit ky është një diskriminim që po iu bëhet fëmijëve.

Arjeta Hyseni ishte mësuesja e fundit që kishin këta nxënës. Por, në qershor asaj i ka përfunduar kontrata prej zëvendësuese së mësueses, e cila doli në pension të parakohshëm për shkak të problemeve shëndetësore.

Këshilli i prindërve kanë kërkuar nga drejtoresha e kësaj shkolle që mësuesja e fundit që mësoi këta nxënës, të rikthehet. Sipas tyre, pakënaqësia që kanë shprehur prindërit lidhur me këtë çështje, për drejtoreshën ka qenë absurde. Ata madje kanë kërkuar edhe nga drejtoresha e arsimit në Komunën e Prishtinës, që të bëjnë një zgjidhje.

Në kohën kur fëmijët e tyre bojkot uan mësimin drejtoresha e kësaj shkolle Drita Cenaj nuk ishte e pranishme në shkollë, e me këtë nuk u mor askush nga drejtoria e Shkollës.

Zëvendësdrejtori i Shkollës Fillore “Ismail Qemajli”, Bajram Brapçani nuk ishte në dijeni se çfarë po ndodhte në klasat e kësaj shkolle.

E as Drejtoria e Arsimit të komunës së Prishtinës nuk ishte e informuar për bojkotimin e mësimit nga nxënësit e klasës së dytë në këtë shkollë.

Drejtoresha Arbërie Nagavci, tha për KosovaPress se prindërit duhet të kenë parasysh se janë personat adekuat të cilët përzgjedhin kandidatët aplikantë.

Nagavci tha se për bojkotimin e mësimit nga nxënësit nuk është informuar nga drejtoresha Cenaj.

Kushtrim Metaj, babi i nxënëses Morea Metaj, për KosovaPress tregon se zëvendësimet e mësuesve për fëmijët i kanë kuptuar pasi kanë dërguar fëmijët në mësim.

Metaj: Diskriminim ndaj fëmijëve tanë

“Prindërit e fëmijëve paralelja 2/7 janë mbledhë me shprehë pakënaqësinë tonë ndaj diskriminimit që i është bërë fëmijëve tonë. Tu fillu prej vitit parashkollor gjegjësisht fillimit të klasës së parë dhe disa paralele, duke qenë se fillimisht mësuesja e cila ka qenë në atë periudhë edhe për shkak të problemeve shëndetësore edhe për shkak të moshës së pensionimit është dalë në pension të parakohshëm nga drejtoria e kësaj shkolle. Ndërsa që nga ajo kohë fëmijët tonë, kanë viju mësimin gjithmonë duke u zëvendësuar me herët një mësuese herë një mësuese tjetër... nuk na është komuniku as nga drejtoria e shkollës...dhe nuk ka pas as një komunikim nga drejtoria, nuk e ka marr as mundin më të vogël që së paku të dalin edhe të japin naj sqarim...se mësuesja që ka qenë në zëvendësim nuk mund të jetë më tash e tutje në përcjellje të fëmijëve mirëpo do të zëvendësohe t me mësuese tjetër”, tha Metaj.

Për këtë drejtoresha, Arbërie Nagavci, për KosovaPress tha se janë angazhuar mësimdhënës të cilët kanë plotësuar kriteret e kërkuar. Ajo tha se prindërit duhet të kuptojnë që nuk mund të punësohen njerëz sipas dëshirave individuale.

Nagavci: Nuk mund të punësohen njerëz sipas dëshirave individuale

“Bëhet fjalë për një ish-mësimdhënëse e cila ka qenë e sëmurë duke qenë parasysh se këto janë edhe gjëra të natyrshme, sigurisht nëse dikush ka probleme shëndetësore ne jemi të obliguar që të hapim konkursin dhe të pranojmë mësimdhënësit të cilët janë të gatshëm për punë. Në vitin e kaluar për shkak se procedurat e konkursit sigurisht që kërkojnë një kohë më të gjatë...Ne kemi angazhuar mësimdhënëse e cila ka plotësuar kushtet sipas vendimeve të drejtorisë komunale...Sot i kam kthy përgjigje drejtoreshës së shkollës që duhet t’iu shpjegoj edhe prindërve që fjala është për procedura ligjore, ata kanë kërkuar që të vazhdojë të jap një mësimdhënëse e cila është në punë dhe që në fakt si duket nuk ka arrit të përzgjidhet në intervistë...i njoftojmë edhe prindërit se ne nuk mund t’i punësojmë njerëzit sipas dëshirave individuale por duke respektuar konkursin publik dhe t’iu ipet mundësia e barabartë të gjithëve”, tha Nagavci.

Në shkollë gjatë orarit të mësimit, në ditën e dytë të fillimit të mësimit, drejtoresha e shkollës fillore “Ismail Qemajli” nuk ishte aty. E kontaktuar nga KosovaPress ajo përmes telefonit tha se kishte punë personale dhe kishte dalë për t’ i kryer ato.

E zëvendësdrejtori i kësaj shkolle, Bajram Brapçani nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte brenda shkollës. Brapçani thotë se ai ka llogaritur se çdo klasë është mbuluar me mësuese. Ai tha se e dhe mësuesja Arjeta edhe mësuesja e tanishme ishin zëvendësim në këtë shkollë.

Brapçani: Kemi llogarit që ajo klasë është mbuluar me mësuese

“Na kemi llogarit që ajo klasë është mbuluar me mësuese dhe meqenëse klasa mësuesja që e kanë pas ajo është pensionuar ka shku në pensionin e rregullt është dashtë me u bo një zëvendësim është bërë zëvendësimi paraprak klasën e parë, me mësuesen Arjeta, me sa e di unë po këtë punë më mirë e di edhe sekretaria e shkollës, me sa e di unë ka qenë deri në qershor...Ka konkurs edhe Arjeta, ka konkuru, por kushtet e konkursit cila i ka plotësu kushtet e konkursit unë nuk e di”, tha Brapcani.

Për bojkotimin e mësimit edhe sot nga nxënësit nuk ishte e informuar as Drejtoresha e Arsimit Nagavci.

Ajo tregoi se për bojkotimin e djeshëm të nxënësve ishte e informuar ndërsa për atë të sotshmen nuk ka asnjë informatë.

Ngavci: Nuk më kanë lajmëruar për bojkotimin e mësimit

“Ne i kemi përfunduar procedurat e rregullta është përcaktuar mësuesja dhe ajo prej djeshmit ka qenë në shkollë. Prindërit duhet të kenë parasysh se janë personat adekuat, kompetentë të cilët marrin pjesë në intervista ose përzgjedhin kandidatët. Dhe nuk ka asnjë arsye të mos vazhdohet mësimi. Sa i përket takimit unë jam shumë e gatshme por sot kam pas tërë ditën e angazhuar dhe janë njoftuar se për shkak se kemi aktivitetet të planifikuara dhe të përcaktuar nuk mund të i pres sot menjëherë. Sot nuk më kanë lajmëruar asgjë. Unë i kamë dërguar përgjigje në e-mailin zyrtar sot në mëngjes. Nuk kemi ndonjë njoftim tjetër as nga shkolla, as nga drejtoresha e shkollës, as e-mail apo telefonatë. Kështu që unë besova që kjo çështje është përfunduar”, tha Nagavci.

Nagavci tha se të gjithë ata që janë pranuar si mësimdhënës me mesatare të lartë dhe që kanë pas më së shumti pikë në intervistë.

Mësuesja Arjeta Hyseni, për KosovaPress përmes telefonit ka treguar se ka kërkuar nga drejtoresha e shkollës të dijë pse nuk është përzgjedhur në intervistë, por as drejtoresha nuk di arsyen. Hyseni tha se nota mesatare e saj ishte më e lartë se e mësues së tanishme, Fiona Haziri.

“Nuk kam qenë në mesin e pesë të përzgjedhurave për intervistë. Nuk e di arsyen pse. Kam qenë tek drejtoresha e shkollës ta pyes pse nuk është emri im në listë. Drejtoresha më është përgjigjur se nuk e di arsyen as ajo pse dhe sipas deklarimit të saj ajo ka qenë shumë e kënaqur si drejtoreshë për punën që e kam bërë. Në intervistën e mbajtur në shkurt kemi qenë dy persona që na është pranuar intervista unë dhe Fiona Haziri. Fiona Haziri është pranuar për zëvendës im tek mësuesja në pushim të lindjes, ndërsa mua më kanë thirrur në vend të lirë te mësuesja e pensionuar. Por tani Fiona është ajo që ka marr klasën që unë kam punuar 4 muaj, për të cilën edhe bëhet fjalë. Nota mesatare e imja është 7,35 ndërsa e Fiona Hazirit 7,15”, tregon Hyseni.

Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) pati shpall konkurs për mësimdhënësit në shkollat e kësaj komune. Konkursi ishte i hapur për 15 ditë nga dita e shpalljes së konkursit në mjetet e informimit publik, duke filluar nga data e publikimit më: 09.07.2015 gjer më datën 23.07.2015.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat