Vrasja e çiftit çek, Zeliezko: Jam i tronditur. Kjo mund të ndodhë dhe në Francë, kriminelët s’kanë kombësi

Lajme

Vrasja e çiftit çek, Zeliezko: Jam i tronditur. Kjo mund të ndodhë dhe në Francë, kriminelët s’kanë kombësi

Më: 4 korrik 2015 Në ora: 19:10

Kreu i agjencisë turistike “CK Mundo” në Çeki, Petr Zeliezko, ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Prekal, ku u vranë dy turistë çekë. Zeliezko thotë se agjencia e tij sjell çdo vit qindra turistë në Shqipëri.


Në një intervistë për median çeke IDNES, ai thotë se Shqipëria konsiderohej si vend shumë i sigurt për turistët çekë.


Duke shprehur tronditjen për vrasjen e çiftit çek në Shkodër, Petr Zeliezko thotë se kjo ngjarje cenon imazhin e Shqipërisë.


Sa e sigurt është Shqipëria për turistët çekë?

Deri sa ndodhi ngjarja konsiderohej shumë e sigurt. Tani ka një tronditje të imazhit të saj. Por deri dje nuk ka patur asnjë problem me turistët çekë në përgjithësi, pa llogaritur disa raste të izoluara. Kam vite që organizoj grupe turistësh çekë atje dhe nuk kemi patur asnjë problem. Edhe vetë kam shkuar disa herë për pushime. Jam i tronditur nga ajo që ka ndodhur.


Ka patur edhe raste të tjera të zhdukjes së turistëve çekë në Shqipëri, si e shpjegoni këtë?

Unë mendoj se gjëra të tilla mund të ndodhin dhe kanë ndodhur edhe në Francë, Norvegji apo Suedi. Kriminelët nuk kanë kombësi, ata vrasin kudo që janë.


Si reagojnë shqiptarët ndaj turistëve dhe turizmit?

Shqiptarët e dinë se turizmi është një burim parash. Ata janë sjellë shumë mirë dhe janë mjaft të gjindshëm ndaj turistëve. Përgjithësisht mendoj se shqiptarët janë njerëz të mirë.


A do të shkoni më në Shqipëri me pushime tani që ndodhi tragjedia?

Personalisht po. Por nuk kam kurajë të këshilloj dikë dhe t’i them mos shko aty apo atje. Të gjithë duhet të vendosin vetë në fund. Ne tashmë do të organizohemi në grupe më të mëdha pas asaj që ndodhi. Tashmë klientët ekanë në dorë vetë nëse duan të shkojnë më në Shqipëri ose jo./bw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat