Gërxhaliu: Kosova nuk iu përgjigj kurrë gjermanëve për projektin energjetik

Lajme

Gërxhaliu: Kosova nuk iu përgjigj kurrë gjermanëve për projektin energjetik

Më: 3 korrik 2015 Në ora: 17:42

Kosova kishte premtuar se do të kthente përgjigje brenda dy javësh, kur iu bë prezantimi i planit strategjik nga kompania gjermane Bilfinger, por pa kurrfarë shpjegimi, institucionet kosovare asnjëherë nuk iu përgjigjën gjermanëve.

Kështu ka deklaruar për Klan Kosovën, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës.

“Pala e Kosovë bëri një premtim që brenda afatit dy javor do të kthenin një përgjigje, por nuk ndodhi asgjë në këtë drejtim, ata nuk dërguan asgjë si përgjigje”, tha Gërxhaliu.

Sipas tij, kjo ndodhi për arsye se Kosova nuk po i kryen detyrat e shtëpisë, derisa tha se po të trajtohej kjo ofertë më seriozisht, Kancelarja Angela Merkel nuk do ta përmendte fare.

Gjithsesi Gërxhaliu nuk mendon se adresimi i Merkel ka ardhur në formë kërcënimi.

“Merkel vetëm na sugjeroi, nuk kërcënoi”.

“Gjermania është një mik i madh i Kosovës dhe bashkëpunimi me ta duhet të jetë shumëdimensional, e jo vetëm ekonomik”.

“Raportet tona me gjermanët duhet të shtrihen edhe në bashkëpunim social, politik e strategjik”, deklaroi Gërxhaliu.

Në vizitën e Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa në Gjermani, Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në konferencën e përbashkët për shtyp, pas takimit me Mustafën, përmendi një ofertë të një kompanie gjermane të quajtur Bilfinger, e cila kohë më parë kishte kërkuar të investonte në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat