Varroset Beg Rizaj si hero kombëtarë! Përcillet me uniformë të UÇK-së!

Lajme

Varroset Beg Rizaj si hero kombëtarë! Përcillet me uniformë të UÇK-së!

Më: 24 maj 2015 Në ora: 11:48

(E plotësuar) Beg Rizaj u varros sot Gllogjan të Deçanit në prani të mijëra qytetarëve nga mbarë Kosova. Në ceremoni morën pjesë deputetët të të gjitha partive të Republikës së Kosovës. Begu dhe tetë shqiptarë tjerë janë vrarë në Kumanovë gjatë një beteje me policinë dhe ushtrinë maqedonase. Ende nuk është sqaruar se pse ndodhi kjo betejë dhe kush qëndron prapa tyre.
Pavarësisht shiut dhe motit të keq, deputetë e qytetarë të Republikë së Kosovës kanë marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të Beg Rizajt, i vrarë në Kumanovë të Maqedonisë.

Ai është varrosur në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Deçanit.

Nga politikanët vetëm Kryetari i kësaj komune, Rasim Selmanaj ka folur për Begun, duke e konsideruar hero. Derisa ka thënë se edhe me këtë rast po dëshmohet se çështja shqiptare ende nuk ka përfunduar.

Ushtari i “Shqiponjave të Zeza” të UÇK’së, Beg Rizaj bashkë me tetë shokët e tij nga Kosova u vra më 9 maj derisa ishte duke luftuar në lagjen e Trimave në Kumanovë.

Pjesë e ceremonisë së varrimit të Rizajt kanë qenë deputetët të Republikës së Kosovës nga të gjitha partitë politike.

Mirëpo, më së shumti ka pasur zyrtarë të Partisë së Ramush Haradinajt, duke përfshirë shumicën e deputetëve të kësaj force politike. Aty ishin Donika Kadaj, Daut Haradinaj, Lahi Brahimaj, Bali Muharremaj, Blerim Kuçi, Pal Lekaj, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu, Rrustem Berisha, Anton Quni, Hajdar Beqa e Safete Hadergjonaj. E krejt në fund, pasi ka përfunduar ceremonia e varrimit ka mbërrit edhe Glauk Konjufca i Vetëvendosjes.

Tetë të vrarët tjerë në Kumanovë pritet të varrosen të martën në Prishtinë derisa familja e Beg Rizajt ka vendosur që djali i tyre të varroset në kompleksin që ndodhet afër shtëpisë së Familjes Haradinaj.

Zyrtarisht institucionet e Kosovës nuk i kanë përkrahur kosovarët që luftuan në Kumanovë derisa kanë kërkuar hetime të ngjarjes tragjike.

Aktualisht, në Maqedoni janë të arrestuar edhe 21 qytetarë nga Kosova të Grupit të Kumanovës. Në përleshjen që ndodhi më 9 e 10 maj mbetën të vrarë edhe 6 policë maqedonas.

Edhe Anton Quni i LDK’së pjesë e varrimit të Beg Rizajt

Deputeti i LDK’së, Anton Quni po merr pjesë në ceremoninë e varrimit të njërit prej të vrarëve në Kumanovë, Beg Rizajt.
Ai u është bashkuar edhe qytetarëve të tjerë të cilët po ia japin lamtumirën e fundit Begut në ceremoninë që po zhvillohet në Gllogjan të Deçanit.

Maloku: Emri i Begut në historinë e re të Kosovës

Rexh Maloku, bashkëluftëtar i Beg Rizajt, ka thënë se emri i tij do të shkruhet në historinë e re të Kosovës.
“Të bëmat heroike të Begut na bëjnë krenar, emrin e tij e mbajnë betejat më të lavdishme të Kumanovës. Beg rënie juaj në Kumanovë është burrni. Lavdi përjetësisht për ty vëlla”, tha ai.

Në sheshin e Deçanit po mbahet tubim mortor për Beg Rizajn. Tubimi ka filluar në orën 14 dhe në të po marrin pjesë qytetarë të shumtë jo vetëm nga Kosova por edhe nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Varroset Beg Rizaj me nderimet ma të larta me uniformë të UÇK-së (Foto)

Po vazhdojnë homazhet për Beg Rizajn në Pallatin e Kulturës “Jusuf Gërvalla” në Deçan.

Homazhet kanë filluar në orën 12 ndërsa varrimi i Beg Rizajt do të bëhet në orën 16 në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan.

Qytetar të shumtë të ardhur nga gjitha viset shqiptare, kanë bërë nderime të larta pranë arkivolit të Beg Rizajt, i cili ishte i vendosur në hapësirat e Pallatit të Kulturës "Jusuf Gërvalla" në Deçan.

Gjithë ata që prisnin në radhë të kalojnë pranë trupit të pa jetë të luftëtarit të lirisë, çmojnë lart trimërinë dhe atdhedashurinë e Beg Rizajt. "Do mbetet përherë në mendjet dhe zemrat tona", shprehen deçanasit e përlotur, por edhe krenar për trimërinë e Begut, në çdo vijë të frontit që ishte. A. L.

Në orën 14:00 mbahet tubim mortor në sheshin e Deçanit. Në orën 15:00 bëhet nisja e kortezhit funeral nga Qendra e Deçanit për në Kompleksin Memorial në Gllogjan, ndërsa në orën 16:00, bëhet ceremonia e varrimit në kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan.

Deputetë të AAK-së nderojnë Beg Rizajn

Përveç qytetarëve të shumtë homazhe kanë bërë edhe disa nga deputetët e AAK-së si Dat Haradinaj, Donika Kadaj-Bujupi, Pal Lekaj, Time Kadriaj dhe Bali Muharremaj por jo edhe lideri i AAK-së Ramush Haradinaj.

Homazheve iu bashkohet edhe Daut Haradinaj

Homazheve për Beg Rizajn i vrarë në Kumanovë u bashkohet edhe deputeti i AAK-së dhe ish pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Daut Haradinaj.

Në homazhe është parë edhe aktori Çun Lajçi i cili pas rënies së Begut në Kumanovë i ka kushtuar poezi dhe këngë.

Hysni Shaqiri: Begu me shokë ka qenë duke luftuar në tokën e tyre

Kryetari i komunës së Deçanit Rasim Selmanaj duke u shprehur ngushëllime familjarëve të Beg Rizajt ka thënë se ai dhe bashkëluftëtarët e tij të rënë janë dëshmorë të kombit.

“Rënia e Beg Rizës, bashkëvendësit tonë dhe njërit nga luftëtarët më të vendosur të ushtrisë sonë, të njësitit të ‘Shqiponjave të Zeza’ tregon se çështja e shqiptarëve ende nuk është zgjidhur”, tha Selmanaj.

Ndërkaq Hysni Shaqiri, njëri nga ish komandantët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare tha se është i bindur se sot të gjithë janë me Deçanin, Dukagjinin dhe gjithë botën shqiptare.

“Ne po flasim për djemtë që gjithnjë kanë qenë me ideologji të frymëzuar për zgjidhjen e çështjes kombëtare, këtë nuk e them unë por e dëshmon vepra e tyre, ajo që u arrit më 9 maj nga Begu me shokë. Kumanova nuk është nën administrimin e Kosovës dhe Shqipërisë por është tokë shqiptare dhe atë ditë këta patriotë kanë qenë duke luftuar në tokën e tyre”, tha Shaqiri.

Para se të mbahet tubimi mortor për nder të Beg Rizajt janë bërë homazhe në Pallatin e Kulturës “Jusuf Gërvalla”, ndërkaq në orën 15 kortezhi me trupin e Begut do të niset nga Deqani për në varrezat e dëshmorëve në Gllogjan ku edhe do të bëhet varrimi i tij.

Lexoni poashtu:

>>Deputetë të AAK-së nderojnë Beg Rizajn

>>Homazheve iu bashkohet edhe Daut Haradinaj

>>Prekëse: Djali i Beg Rizajt para fotografisë së babait (Foto)

>>Hysni Shaqiri: Begu me shokë ka qenë duke luftuar në tokën e tyre

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat