​“Kur urren të tjerët – e urren vetveten”

Lajme

​“Kur urren të tjerët – e urren vetveten”

Më: 4 maj 2015 Në ora: 19:21

Për disa ditë radhazi nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, bazuar në projektin “Kur urren të tjerët – e urren vetveten” 2015, projekt i pranuar nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Preventivë të DPP Prishtinë, i cili projekt duhej të realizohej me nxënës të klasave të IX-ta në ato shkolla të përzgjedhura nga Drejtoritë Komunale te Arsimit, ka përfunduar me sukses në fund të muajit që lamë pas.

Lidhur me projektin fillimisht janë njoftuar drejtorët komunalë të arsimit në nivel rajoni, me ç’rast janë përzgjedhur shkollat në të cilat do të zhvilloheshin aktivitete sipas projektit. Implementimi i projektit është realizuar në partneritet me OSBE-në, Sektori për të Drejtat e Njeriut dhe Siguri, Zyra Regjionale në Pejë, ku në realizimin e projektit janë angazhuar dy trajnerë të certifikuar për ligjërim.

Pasi që në regjionin e Gjakovës nuk kishte zyrtar të trajnerëve të certifikuar për ligjërata për krimin e urrejtjes, realizimin e projektit në shkollat e përzgjedhura në rajonin e Gjakovës, kanë ligjëruar zyrtarë të certifikuar nga regjioni i Pejës.

Implementimi i projektit është realizuar në rajonin e Gjakovës, në komunat: Gjakovë, Rahovec dhe Malishevë. Në shkollat fillore “Zekiria Rexha” dhe “Mustafa Bakija” të komunës së Gjakovës.

Ndërsa në komunën e Rahovecit realizimi i këtij projekti është bërë në shkollat fillore “Ardhmëria” dhe “Ukshin Hoti”. Po ashtu në këtë rajon ky projekt është realizuar edhe në dy shkollat fillore të komunës së Malishevës, në “Naim Frashëri” dhe “Ibrahim Mazreku”.

Në këtë rajon janë përfshirë 6 shkolla me 275 nxënës.

Ky projekt është implementuar edhe në komunat e rajonit të Pejës. Në shkollën fillore “7 shtatori” në Vitomiricë dhe shf-m “Janko Joviqeviq” në Gorozhdevc të komunës së Pejës.

Në komunën e Deçanit janë përzgjedhur shkollat “Bajram Curri” në fshatin Strellc dhe “Lidhja e Prizrenit” në fshatin Carrabreg. Në komunat Istog dhe Klinë implementimi i këtij projekti është realizuar në shkollat “Avni Rrustemi” në Zallq, “Martin Camaj” në Gurrakoc, “Ismet Rraci” dhe “Motrat Qeriazi” në Klinë.

Në këtë rajon realizimi i këtij projekti është bërë në 8 shkolla ku kanë marrë pjesë më se 408 nxënës. Gjithsej në këto dy rajone është implementuar ky projekt në 14 shkolla fillore me pjesëmarrje të 683 nxënësve.

Realizimit të projektit i ka kontribuuar shumë përkrahja e OSBE-së, të cilët kanë ndihmuar Policinë e Kosovës gjatë gjithë kohës së mbarëvajtjes së projektit i cili është përfunduar me sukses.

Po ashtu vlen të ceket se gjatë realizimit të projektit në shkollën fillore “7 Shtatori” në Vitomiricë ishte prezent edhe drejtori komunal i Arsimit në komunën e Pejës, Besim Avdimetaj me bashkëpunëtorë, të cilët kanë përcjellë ligjëratat me nxënës të komunitetit shqiptar dhe atij boshnjak.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat