Mulla Zejnullah Bakiji do të kujtohet përjetësisht dhe do t’i mungojë Bilaçit dhe gjithë Luginës

Lajme

Mulla Zejnullah Bakiji do të kujtohet përjetësisht dhe do t’i mungojë Bilaçit dhe gjithë Luginës

Nga: Bilaç, 27 prill Më: 27 prill 2015 Në ora: 23:52

Sot, ashtu siç ishte paralajmëruar që me ‘ikindi’ do të bëhet varrimi i imamit të xhamisë së Bilaçit, Mula Zejnullah Bakiji, i cili pardje, pas një sëmundjeje të shkurtër, ndërroi jetë. Me këtë rast ishin mbledhur mbi tre mijë pjesëmarrës për t’ia dhënë lamtumirën e fundit. Thënë shkurt, ishte bllokuar i gjithë fshati Bilaç, ndërsa në hyrje të fshatit qëndronin dy djem të rinj, banorë të fshatit, me shirita të kuq në krah, të cilët i drejtonin veturat e shumta që vinin nga e gjithë Lugina e Preshevës, si dhe nga Kosova e Maqedonia. Rrugës nga qendra e lart, qytetarë të shumtë shkonin me shpejtësi për t’u përshëndetur me këtë hoxhë bamirës, patriot dhe njeri i unitetit. Është e pamundur që nëpërmjet pak rreshtave të këtij shkrimi t’i përmendim të gjitha epitetet që i ka pasur i ndjeri, por mjafton të thuash se i madh e i vogël përpiqeshin që në forma të ndryshme ta regjistronin ndonjë pamje nga numri i madh i pjesëmarrësve në varrim. Telefonat celularë e bënin punën e vet, por, në anën tjetër, ishin edhe kamera të shumta, mediet lokale, që donin të regjistronin pamje nga ky rast. Kështu, sot gjithë Bilaçit i kishte rënë një hije tjetër, një hije që tregonte se do t’i mungojë përjetësisht fizikisht hoxha i fshatit, i cili shërbeu për 31 vjet.

Kortezhi i njerëzve, pa fund

Këtë e dëshmoi edhe qielli, në një temperaturë të lartë prej 21 gradësh në këtë fund prilli, por herë pas here rigonte edhe një shi i qetë, që e ndihmonte familjen, miqtë e tij dhe të gjithë që e njohën të freskohen, e njëkohësisht thuajse të gjithë luteshin që i ndjeri të jetë banor i parajsës. 31 vjet imam, 31 vjet në çdo aksion të mirë e të rëndë që ka përjetuar fshati. Ai ishte në ballë të oxhakut, e me fjalët e tij ngushëlloheshin ata që e përjetonin ndonjë fatkeqësi, apo humbnin ndonjë familjar. Ishte Mulla Zejna ai që kështu quhej nga fshatarët e tij. Ai ishte edhe në Kosovë, Maqedoni e deri në Mal të Zi, për të përcjellë mesazhe paqeje, besimi dhe uniteti. Fshati Bilaç e ka humbur sot një personalitet të madh, të cilin do ta kujtojnë përjetësisht. Këtë e tregon edhe prania e një numri të madh të të pranishmëve, që i ishin drejtuar fshatit, e banorët thoshin se asnjëherë nuk kanë pasur më shumë dhimbje kolektive se sot. Të gjithë me lot në sy, e kanë humbur hoxhën. Edhe disa nxënës të shkollës iu drejtuan varrezave me çanta në krahë, por kishte edhe të hendikeposur e pleq, por ata nuk shkuan me vetura te varret e fshatit, por në këmbë, duke dashur që ta nderojnë këtë hoxhë.

Nderimi i fundit edhe nga figurat publike

I pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, dr. sc. Nagip Arifi, pastaj edhe Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, i cili me të ndjerin, sipas burimeve tona, ishte pjesëmarrës nëpër shumë ndeja të pajtimeve e gëzimeve. E disa të rinj, në anën tjetër, gjersa u ishin drejtuar varrezave, thoshin se ai edhe në tubimet përkujtimore të UÇPMB-së ishte i pari që donte t’i nderonte dëshmorët me praninë e tij dhe i ngrinte duart lart që të lutej për shpirtin e tyre, për durimin e familjeve që t’i freskoj Perëndia dhe, në anën tjetër, lutej për paqe në këto treva.

Na bëri përshtypje që disa të rinj shpërndanin edhe ujë për pjesëmarrësit. Ndërsa, falja e namazit të xhenazes u bë në mes të fshatit, kjo sigurisht për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve. Intelektualë të profileve të ndryshme, mjekë, inxhinierë, gazetarë, hoxhallarë, hanxhinj etj., ishin ata që ecnin në këmbë dhe donin të ishin pjesë e këtij rasti mortor. E kështu e ka jeta. Iku nga ne një njeri shumë i fortë, e ai i ka humbur edhe dy vëllezër që u ndanë nga jeta disa vite më parë, kurse vetëm një ditë përpara edhe vëllai i tij i madh, Haxhi Hakiu.

Mbetëm pa njeriun e përkushtuar për njeriun

Me të arritur te varrezat shiheshin altoparlantët që e nëpërmjet mikrofonave të dëgjohej se çka flitet. Nëpër fytyrat e vëllezërve të Mulla Zejnës shiheshin lotët, por, në anën tjetër, ata ishin edhe krenarë që e kishin një vëlla të tillë, që udhëzonte gjithmonë me fjalë të ëmbla fetare dhe patriotike. E hoxhallarët, kolegët e tij, secili përpiqej të kryente diçka nga detyrat e tyre, që secili të fitojë sevape nga pak dhe ta nderojë Mulla Zejnën. Pasi u bë varrimi, u mbajtën edhe disa fjalime fetare, në të cilat ai u cilësua si krahu i djathtë i Bashkësisë Islame për Bujanoc dhe për gjithë Luginën, por që do të mungojë përjetësisht. Fjalën më pas e mori edhe kryetari i BI të Bujanocit dhe të Preshevës. Me disa fjalë, gjithashtu familjen Bakiji e ngushëlloi edhe kryetari i Komunës së Bujanocit, dr. sc. Nagip Arifi, pastaj edhe mysafiri nga Turqia, Mulla Ramadani, i cili në mënyrë mallëngjyese evokoi kujtime me hoxhën e nderuar dhe e vlerësoi lart punën e madhe fetare që ai e ka bërë për këto treva e më gjerë. Pasi përfundoi ceremonia e varrimit, të gjithë u shpërndanë të pikëlluar, duke i kujtuar veprat e Mulla Zejnës. Me këtë rast, edhe një herë shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta familjes, miqve të tij dhe gjithë banorëve të fshatit dhe Luginës. Qoftë i përjetshëm kujtimi për Mulla Zejnullah Bakiji dhe ai qoftë banor i xhenetit! / B.H

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat