E pabesueshme: Ja çfarë trillojnë shqiptarët për të siguruar azil në Perëndim! (Video)

Lajme

E pabesueshme: Ja çfarë trillojnë shqiptarët për të siguruar azil në Perëndim! (Video)

Më: 26 prill 2015 Në ora: 18:58

Largimi i qytetarëve në masë nga qytetet e fshatrat e Shqipërisë në drejtim të Gjermanisë dhe vendeve si Suedia apo Norvegjia, ka bërë që Policia e Shtetit të nisë verifikimet për të zbuluar personat që organizojnë këto udhëtime dhe që përhapin fjalët për azil politik në këto vende të BE.
Në vëmendjen e policëve janë vënë persona kriminalë, si dhe disa kompani udhëtimi të cilat mundësojnë transportimin e qytetarëve nga Shqipëria në destinacionet e kërkuara prej tyre.
Por, ikja masive e familjeve shqiptare duket se nuk ka shumë ndikim nga “propaganda” që bëjnë trafikantët, por më shumë kjo ikje justifikohet nga pamundësia ekonomike për të jetuar në Shqipëri.
Aplikimi për azil politik në vendet e BE i detyron ata të “thurin” shumë skema mashtrimi, duke arritur të inskenojnë dhe ndërtojnë me dokumente konkrete, ngjarje kriminale, dosje në Prokurori dhe Polici, me qëllim krijimin e një bindje tek të huajt se në Shqipëri jeta e tyre dhe fëmijëve është në rrezik, dhe se nga shteti prej nga kanë ardhur nuk kanë asnjë shpresë.
Gazeta Shqiptarja.com ka hulumtuar këtë fenomen prej tre muajsh, ku ka evidentuar skemat e mashtrimit që përdorën shqiptarët, vetëm e vetëm për tu larguar nga Shqipëria. Nga intervistimi i disa personave, ata kanë treguar se nuk janë vënë në ndikim të eksponentëve kriminalë, porse largohen nga vendi me dëshirën e tyre pasi s’kanë asnjë mundësi ekonomike për të jetuar.
Agjencitë e udhëtimit në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni kanë rolin kryesor të transportimit të shtetasve shqiptarë drejt vendeve të BE. Individë të ndryshëm dhe shumë familje shfrytëzojnë ofertat financiare që ato bëjnë për biletat dhe më pas kryejnë dhe prenotimin.
Në nga administratorët e një agjencie udhëtimi, thotë se ata nuk kanë faj.
“Jemi licensuar dhe paguajmë taksa për të kryer transportin e udhëtarëve në shumë vende të botës”, thotë ai. “Nëse nuk kam klientë unë falimentoj. Agjencitë nuk transportojnë me forcë në Gjermani apo Suedi. Është vullneti dhe dëshira e personave për t’u larguar. Madje ne nuk kemi as kompetencë për t’i pyetur se për çfarë qëllimi shkojnë në Gjermani”.
Një nga skemat e mashtrimit më të përhapura që përdorën shqiptarët që kërkojnë azil në vendet e BE, është ajo e krijimit të konflikteve të rreme. Gazeta ka biseduar me një drejtor të lartë të Policisë së Shtetit, i cili pohoi: “Çdo ditë administrojmë denoncime nga qytetarë të ndryshëm se janë kanosur nga persona të pa identifikuar, me jetën e tyre dhe të familjes. Disa të tjerë vijnë dhe denoncojnë se janë në hasmëri dhe se kërkojnë mbrojtje nga Policia”.
Ai shton se në rastet kur kemi refuzuar marrjen e kallëzimeve, oficerët tanë janë përballur me akuza dhe kallëzime në organe hetimore, si Prokuroria apo SHKB-ja, duke u akuzuar për burokraci dhe “Shpërdorim detyre”.
Pretendimet që marrin formën e një kallëzimi apo dhe provat që dorëzohen dhe dokumentohen nga oficerët e Policisë, përdoren nga qytetarët në komisionet e azilkërkuesve. Mes shumë dokumentave që raportohen, janë dhe vërtetimet e lëshuara nga shoqatat e pajtimit të gjaqeve.
Shumë nga “kallëzimet e rreme” mbërrijnë edhe në dyert e prokurorisë. Një prokuror i Tiranës tregoi për gazetën se prej gjashtë muajsh ka nisur një procedim penal pa autor për “Kanosje” dhe “Keqpërdorim të thirrjeve telefonike”!
“Kemi administruar mesazhet dhe një sërë provash të tjera, përfshirë dhe kallëzimin qytetarit. Pas kësaj kemi kryer dhjetëra veprime hetimore, ndërkohë që na është dashur ripyetja e kallëzuesit. I kemi dërguar fletëthirjet në banesë, por nuk është paraqitur në Prokurori. Kemi dërguar një oficer Policie në banesë, por kallëzuesi nuk është gjendur. Kemi bërë verifikimet në TIMS, na rezultoi se më 18 shkurt 2015 ishte larguar në Gjermani. Ka shumë mundësi që ai këtë dosje hetimore ta përdor si provë për të fituar azil…”, shprehet prokurori.
Shumë persona përdorin dhe mediat për të krijuar një situatë më të besueshme se ata vërtet janë të kërcënuar dhe se prania e tyre në Shqipëri i rrezikon jetën. Publikimi i një shkrimi në gazetë është një provë shtesë për azilkërkuesit. Ata paraqiten në zyrat e redaksive me dokumente konkrete, që mbajnë vulat e Policisë dhe Prokurorisë, duke u raportuar gazetarëve se vërtet ndihen në hall dhe në rrezik.
Në datën 2 prill 2015, në zyrën e redaksisë Shqiptarja.com është paraqitur një person nga Fieri. Ai pretendonte se jeta e tij ishte në rrezik dhe se herë pas here ishte kërcënuar me jetë, madje në një rast ishte goditur me thikë nga nipat e ministrit të Drejtësisë, Nasip Naço. Ai tregoi se kishte bërë kallëzim në Prokurori, por nuk kishte dokumente. Pas një bisedimi të gjatë, ai pranoi se shkrimi i nevojitej për të kërkuar azil në Francë dhe se e kishte sajuar historinë. E njëjta skemë ka ndodhur edhe në 10 prill 2015 me një person tjetër, i cili pranoi se botimi i shkrimit i nevojitej për azil në Gjermani.
Alma Mele, drejtorja e Drejtorisë për Azilin dhe Refugjatët, e ftuar në studion e “A1Report”, tha se do të ketë penalitete për të gjithë ata shtetas të cilët do të dëbohen nga shtete ku kanë kërkuar azil, nëse pas marrjes së kërkesës negative për azil do të refuzojnë të kthehen. Sipas drejtoreshës, dënimi është që për pesë vite këta shtetas të mos kenë të drejtën e qëndrimit në zonën Shengen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat