Nderohen dëshmorët e Prishtinës, varrezat në gjendje të mjerueshme

Lajme

Nderohen dëshmorët e Prishtinës, varrezat në gjendje të mjerueshme

Më: 18 prill 2015 Në ora: 11:18

​Qytetarë të shumtë e zyrtarë komunal për nder të “Ditës së Krenarisë”, po bëjnë homazhe të varrezat e dëshmorëve të Komunës së Prishtinës, për të nderuar veprën dhe sakrificën e bërë për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Udhëheqja e Komunës së Prishtinës ka vlerësuar se duhet të nderohen të gjithë ata që ranë për liri dhe pavarësi.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti pasi ka vënë kurora lulesh tek varrezat e dëshmorëve dhe shtatorja e komandantit Zahir Pajaziti, tha se ndihen krenarë që gjendën në sheshin me emrin e njërit prej të parëve që ishte bashkuar në UÇK.

“Këtu po bëjmë homazhe edhe para shtatores së “Zahir Pajazitit” , një ndër anëtarëve dhe pjesëtarëve të parë të UÇK-së, hapat e të cilëve i kanë ndjekur pastaj edhe shumë të tjerë. Prandaj po e them se sot mund të ndihemi vetëm krenar që gjendemi në sheshin Zahir Pajaziti, që kemi mundësi të nderojmë veprën e tij dhe dëshmorëve të tjerë. Dhe në këtë ditë kemi ndjenja të përziera edhe të pikëllimit edhe të krenarisë”, tha Ahmeti.

Kreu i Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se shumë shpejt komuna do të bëjë rregullimin e varrezave të dëshmorëve.

Homazhe për të nderuar dëshmorët e kombit kanë bërë edhe zyrtarë të opozitës në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Kryetari i PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj tha se as qeverisja e kaluar e as kjo e tanishmja, nuk janë duke bërë asgjë për dëshmorët, duke thënë se mbetet shqetësuese gjendja e varrezave të dëshmorëve.

“Ajo që mbetet ende shqetësuese pas kësaj se amaneti i tyre ende nuk është realizuar dhe nuk ka shkuar në vend, por unë jam i bindur që shokët e tyre dhe me të gjithë do të përkushtohemi që këtë amanet të atyre ta qojmë në vend dhe që shpirti i tyre në një farë mënyre të rehatohet për sakrificën që kanë bërë. Mbetet shqetësuese po ashtu edhe gjendja e varrezave të dëshmorëve të Prishtinës që edhe pas 15 vjet pas përfundimit të luftës ende janë në gjendje të mjerueshme. Kjo tregon edhe sa institucionet komunale janë brengosur si qeverisja paraprake ashtu edhe kjo tash, sa janë brengos për këtë shtresë, për këtë kategori sa ua kanë ditë vlerën këtyre, por unë jam shumë i bindur që e ardhmja dhe populli, brezat e ri e dinë vlerën e tyre dhe do ta kenë pozitën e merituar në historinë tonë dhe në shoqërinë tonë”, tha Çelaj.

Megjithatë, ai shoti se sot aq sa është ditë krenarie, ashtu është edhe ditë dhimbje sepse ata mungojnë në mesin e tyre, por në anën tjetër edhe i bëjnë krenarë që i njohën dhe u janë falënderues për sakrificën e tyre që bënë për hir të brezave të ardhshëm.

Komuna e Prishtinës bashkë me organizatën e dala nga lufta e UÇK-së do të organizojnë aktivitete të ndryshme deri më 23 prill, për ndër të dëshmorëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat