ROSU dhe EULEX, në rikonstruimin e vrasjes së Enver Zymberit

Lajme

ROSU dhe EULEX, në rikonstruimin e vrasjes së Enver Zymberit

Më: 1 prill 2015 Në ora: 09:04

(E plotësuar) Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ROSU, së bashku me EULEX-in, si dhe përfaqësues të ligjit në Kosovë, kanë qenë të mërkurën në vendin Klisuricë që ndodhet në mes të fshatit Zupç dhe Zubin Potok.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, ROSU, së bashku me EULEX-in, si dhe përfaqësues të ligjit në Kosovë, kanë qenë të mërkurën në vendin Klisuricë që ndodhet në mes të fshatit Zupç dhe Zubin Potokut në veri të Kosovës, për të rikonstruar ngjarjen në lidhje me vrasjen e policit Enver Zymberi që ka ndodhur në këtë vend më 2011.

Shefi i operativës në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut, Zhelko Bojiq, ka thënë për Kosovapress se me kërkesë të prokurorisë së EULEX-it, Drejtoria e Policisë së Kosovës nga rajoni i veriut të Mitrovicës ka asistuar në ofrimin e sigurisë, në mënyrë që rekonstruimi i vendit të ngjarjes ku dyshohet se ka ndodhur vrasja e policit Zymberi, të zhvillohet pa probleme.

“Sot në mëngjes në ora 7:30 me kërkesë për asistim nga gjykatësi, si dhe prokuroria e EULEX-it, Drejtoria e policisë nga rajoni i veriut ka ofruar sigurinë në kuptimin e ‘unazës së gjerë’ me rastin e rikonstruimit në fshatin Zupç. Policia rreth orës 9:00 ka ndërprerë komunikacionin, derisa të vazhdojë rikonstruimi i vendit të ngjarjes. Në ofrimin e kësaj asistence të sigurisë është angazhuar komplet Njësia speciale e Drejtorisë së rajonit Mitrovicë e veriut, si dhe njësitë e hetuesisë të këtij rajoni”, ka thënë Bojiq.

Ndryshe, në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, gjykimi rreth kësaj ngjarje ka filluar më 9 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa të dyshuar janë Radovan Radiq dhe Millovan Vllashkoviq, të dytë nga Zubin Potoku.

Po ashtu, për të njëjtin rast janë arrestuar edhe disa serbë tjerë nga Zubin Potoku, në mesin e të cilëve edhe kapiteni policor nga stacioni i veriut të Mitrovicës, Miodrag Lekiq bashkë me vëllanë e tij, Millan Lekiq.

ROSU dhe EULEX kthehen në vendin ku u vra Enver Zymberi

Njësitë elite të Policisë së Kosovës ROSU bashkë me EULEX-in dhe zyrtarë tjerë ligjorë do t’ia mësyjnë sot Zupqit në Zubin Potok, në vendin ku në vitin 2011 u vra polici Enver Zymberi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat