VV mbështet protestën e punëtorëve shëndetësorë

Lajme

VV mbështet protestën e punëtorëve shëndetësorë

Më: 4 mars 2015 Në ora: 15:14

Lëvizja VETËVENDOSJE! përkrahu sot protestën e punëtorëve shëndetësorë që mes të tjerash kundërshton fuqishëm ndërtimin e spitalit privat brenda hapësirës së QKUK-së.

Punëtorët shëndetësorë kërkuan që të ketë autonomi territoriale të institucioneve publike shëndetësore, zbatim të kontratës kolektive sektoriale, rritje të pagave sipas premtimeve publike elektorale (25%), funksionalizim të Odave të Mjekëve dhe mbrojtjen e profesionistëve shëndetësorë nga shantazhet e pushtetit.

Në mes të aktivistëve e anëtarëve të Komitetit e Nënkomitetit për Shëndetësi të Lëvizjes që iu bashkuan punëtorëve shëndetësore në këtë protestë ishte edhe deputetja Besa Baftiu, anëtare e Komisionit parlamentar për shëndetësi. Ajo iu bëri thirrje protestuesve që të mos ndalen deri në realizimin e kërkesave të tyre. “Lëvizja VETËVENDOSJE! është kundër hapjes së spitalit privat brenda hapësirave të QKUK-së, për shkak se një gjë e tillë do ta shkatërronte institucionin shëndetësor publik. Edhe ligji aktual e ndalon një gjë të tillë, sepse deri në 1.5 kilometra rreth QKUK-së nuk kanë të drejtë të hapen spitale private”, theksoi Baftiu, duke shtuar se nëse qeveritarët përpiqen ta ndërrojnë këtë ligj, padrejtësia veç do të rritej dhe kundërshtimi nga ana jonë duhet të jetë edhe më i madh".

Deputetja Besa Baftiu theksoi se degradimi që i është bërë QKUK-së dhe sistemit shëndetësor publik në 15 vitet e pasluftës po vazhdohet edhe nga ministri i ri. Ajo iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në protesta për t’i kundërshtuar këto procese ashtu që të kemi në të ardhmen shëndetësi publike efikase.

Pas protestës në raportimin e Ministrit të Shëndetësisë në mbledhjen e përbashkët të Komisioneve parlamentare të Shëndetësisë dhe Lëvizja VETËVENDOSJE do të vazhdojë t’i mbështesë protestat në mbrojtje të shëndetësisë publike, dhe nuk do të lejojë që të degradohet tutje e më pas edhe të privatizohet një institucion i tillë./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat