Bie numri i ankesave të konsumatorëve

Lajme

Bie numri i ankesave të konsumatorëve

Më: 3 mars 2015 Në ora: 15:53

Rënia e numrit të ankesave, është treguesi më i mirë i avancimit të shërbimeve ndaj konsumatorëve, thanë përfaqësuesit e ZRRE-së dhe KEDS-it.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, është diskutuar për zbatimin e rekomandimeve të Kuvendit, të datës 19. 07. 2013, lidhur me faturimin e shpenzimit të energjisë elektrike për muajin janar 2013. Kuvendi në rekomandimet e veta (6 sosh), drejtuar KEDS-it, KEK-ut, ZRRE-së, MTI-së dhe MZHE-së, ka kërkuar përmirësim dhe kujdes më të madh ndaj konsumatorëve, rishqyrtimin e tarifave të energjisë elektrike, rishikimin e dinamikës së investimeve, rishqyrtimin e planit të ZRRE-së dhe KEK-ut për furnizim me njehsorë të energjisë elektrike, si dhe përsosjen e qeverisjes korporatave.

Përfaqësuesi i ZRRE-së, Enver Halili, duke folur për implementimin e këtyre rekomandive, vlerësoi se Raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar, përmban disa paqartësi dhe mospërputhje me të dhënat që posedon ZRRE-ja. Duke folur për shërbimin ndaj konsumatorëve, ndërkaq, ai tha se gjatë vitit 2012 kanë qenë 32 mijë e 194 ankesa, në vitin 2013- 21 886, ndërsa në vitin 2014- 17655 ankesa. Sipas tij, ky numër në rënie i ankesave, është treguesi më i mirë i avancimit të shërbimeve ndaj konsumatorëve. Në vijim, ai foli edhe për strukturat tarifore, tarifat e energjisë elektrike, bllokun tarifor, transparencën, si dhe sfidat me të cilat u ballafaqohen në implementimin e rekomandimeve.

Përfaqësuesi i KEDS-it, Petrit Pepaj, foli për investimet e realizuara prej tyre si dhe planin e investimeve në të ardhmen, bazuar në rekomandimet e Komisionit Hetimor Parlamentar. Lidhur me këtë, ai shtoi se ZRRE-ja në vitin e kaluar ka aprovuar Planin Investiv të KEDS-it, ndërsa është kontraktuar kompania konsulente për përgatitjen finale të një plan zhvillimor të KEDS-it. Ai po ashtu njoftoi se, investimet e deritashme të KEDS-it arrijnë shumën prej 18 milionë euro. Përfaqësuesi i KEDS-it ka folur edhe për angazhimet e tyre në eliminimin e gabimeve gjatë leximit të njehsorëve të energjisë elektrike, ndërsa vlerësoi se hapja e 35 qendrave për kontakt me qytetarët nga ana e KEDS-it, do të ndikojë në efikasitetin e paraqitjes së ankesave dhe parashtresave të qytetarëve.

Përfaqësuesi i MZHE-së, Ramadan Sejdiu, ndërkaq, foli për performancën e bordeve të kompanive publike. Ai u shpreh se performanca e deritashme e bordeve të ndërmarrjeve nuk ka qenë e nivelit të kënaqshëm, ndërsa njoftoi se është në procedurë formimi i bordeve të reja. Shpresoj, tha ai në vijim, se bordet e reja do të tregojnë performancë më të mirë menaxhuese dhe transparencë më të madhe.

Anëtarët e komisionit ngritën çështje të shumta, dhe vlerësuan se KEK-u dhe KEDS-i, nuk duhet të insistojnë që të ruajnë gjendjen aktuale në këto kompani. Ato duhet të reformohen dhe të ndikojnë edhe më shumë në furnizimin më të mirë të energjisë elektrike si dhe avancimin më të madh të shërbimit ndaj qytetarëve./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat