"Thirrjet e Nënave" distancohen nga dhuna në protestë

Lajme

"Thirrjet e Nënave" distancohen nga dhuna në protestë

Më: 25 janar 2015 Në ora: 22:51

Shoqata e nënave që kanë humbur fëmijët e tyre gjatë luftës së fundit janë distancuar nga ‘individë të caktuar’, që kanë shkaktuar dëme në ndërtesën e qeverisë dhe lokaleve përreth në protestën e djeshme në Prishtinë.
“Thirrjet e Nënave”, përmes një postimi në Facebook, gjithashtu kanë kundërshtuar deklarimet se ato janë shfrytëzuar politikisht nga Vetëvendosja gjatë protestës së djeshme.

“Thirrjet e Nënave” kanë thënë se protesta kishte qëllim të përfaqësonte zërin e nënave dhe gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës duke lënë të nënkuptohen se ato nuk ndihen të shfrytëzuara politikisht, siç u pretendua nga disa akterë politikë pas mbylljes së protestës.

“Sa i përket pjesës së fundit të protestës ku filluan të thyhen xhamat e objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të disa lokaleve përreth, ‘Thirrjet e Nënave’, me keqardhje për atë që ndodhi, distancohet nga individë të caktuar të cilët shkaktuan dëmet, ndërsa në anën tjetër përzemërsisht dëshirojmë t’i falënderojmë me mijëra qytetarë të tjerë që në mënyrë paqësore protestuan së bashku me ne duke përfaqësuar atë që ne e kërkojmë, shkarkimin e Jabllanoviqit”, përfundon deklarata publike e “Thirrjet e Nënave”, në Facebook.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat