Vushtrria shënon 28 nëntorin, Ditën e Flamurit

Lajme

Vushtrria shënon 28 nëntorin, Ditën e Flamurit

Më: 28 nëntor 2014 Në ora: 12:53

Për të shënuar 102 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe për të kujtuar festat tjera të kombit shqiptar që lidhen me këtë datë, Komuna e Vushtrrisë organizoj manifestim në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina”.

Para të pranishmëve një fjalë rasti mbajti drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Shpresa Rama, e cila tha se sot po festohet një datë tepër e veçantë për kombin shqiptar.

“Ne shqipet, ne plis bardhët, jemi ne ai populli i përvuajtur ndër shekuj që derdhëm gjakun për tokën tonë. U sprovuam, na dëbuan, na i dogjën shtëpitë, na vranë, por ne përsëri lindëm, përsëri filluam jetën në këtë tokë, sepse ishte e jona. Diçka që ta jep Zoti, s’mund të ta marrë as fuqia më e madhe e botës”, tha drejtoresha Rama, transmeton Veriu.info.

Një fjalim rasti mbajti edhe historiani vushtrrias, Izet Miftari, i cili tha se populli shqiptar padyshim që është populli më i vjetër, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë.

“28 nëntori është datë shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, pasi që na lidh me Skënderbeun, datëlindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci nga Llausha, i cili ishte vrarë nga policia pushtuese serbe në Kosovë”, tha Miftari.

Në këtë manifestim u shfaq edhe një program i pasur kulturoro-artistik, me ç’rast performoj ansambli i valleve dhe kënduan disa këngëtar vushtrrias.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat