Skandal: Ja si Gjykata Kushtetuese aplikoi standarde të dyfishta!

Lajme

Skandal: Ja si Gjykata Kushtetuese aplikoi standarde të dyfishta!

Më: 22 shtator 2014 Në ora: 15:40

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i nxjerrë për çështjen e zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, vërtetë duket të jetë absurd. Madje, ky vendim aplikon standarde të dyfishta dhe është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit.

Burime të Gazetës Blic brenda Gjykatës Kushtetuese kanë theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është kontradiktor dhe aplikon standarde të dyfishta.

Sipas këtij burimi, derisa në disa pika të aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, grup parlamentar e definon atë grup të deputetëve që ka dalë nga zgjedhjet, sikurse rasti me PDK-në, ndërkohë që nuk e njeh grupin LDK- AAK- Nisma, nën anën tjetër, i njëjti standard nuk vlen për minoritetet.

“Minoriteteve ky aktgjykim ua njeh të drejtën që të propozojnë kandidatët për nënkryetar Kuvendi dhe formimin e grupeve parlamentare pa u konstituuar Kuvendi. Thjesht ky është një aplikim i standardeve të dyfishta”, thotë ky burim.

Në pikën e 60 të aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese e njeh grupin 6+, edhe pse ky grup është formuar pas mbajtjes së zgjedhjeve.

“Më 4 gusht 2014, deputetët e Grupit 6+ parashtruan komentet e tyre në Gjykatë në lidhje me kërkesën KO119/14, duke pretenduar se ata kanë marrë pjesë gjatë konstituimit të Kuvendit dhe se vendimet e miratuara gjatë seancës konstituive të Kuvendit janë marrë në përputhje me Kushtetutën”, thuhet në pikën e 60 të aktgjykimit.

Ndërkohë, sipas këtij burimi të Gazetës Blic, në rast se nuk do të aplikonte Gjykata Kushtetuese standarde të dyfishta, duke mos njohur grupe parlamentare paszgjedhore, sikurse rasti me 6+, atëherë do të paralizohej Kuvendi, sepse nuk do të mund të zgjidhje një nënkryetar nga radhët e minoriteteve. Për këtë ai e citon pikën 109 të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në pikën 109 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet se “Gjykata vëren se seanca konstituive e Kuvendit nuk mund të konsiderohet se është realizuar plotësisht, nëse Kuvendi nuk e ka zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët e tij”.

Kjo pikë e aktgjykimit, sipas këtij burimi bie në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës. Pra, nëse do të implementohej në plotëni kjo pikë e aktgjykimit, dhe nuk do të njihej as Grupi 6+, atëherë do të jetë e pamundur konstituimi i plotë i Kuvendit, sepse minoritetet nuk mund të formojnë grupe parlamentare të dala nga zgjedhjet, sidomos minoriteti joserb.

Në nenin 67. 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet: “Dy (2) nënkryetarë përfaqësojnë komunitete tqë nuk janë shumicë në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Njëri nënkryetar do të jetë nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vendet të rezervuara ose të garantuara të komunitetit Serb, dhe tjetri nënkryetar nga radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara nga komunitetet tjera që nuk janë shumicë”.

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese bie në kundërshtim edhe me nenin 12 pikën e 5 të Rregullores së Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës ku thuhet: “Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës kërkon nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb dhe nga deputetët, që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë, ta propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të Kuvendit. Nënkryetarët, sipas kësaj pike, zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit”.

Pra, edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, por edhe sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, grupet parlamentare, që duhet t’i kenë të paktën 6 deputetë, mund të krijohen edhe para konstituimit të Kuvendit, për faktin se grupet parlamentare, janë ato që propozojnë kandidatët për kryetar dhe nënkryetar të Kuvendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat