Ja me sa vjet burg mund të dënohet Shefqet Krasniqi

Lajme

Ja me sa vjet burg mund të dënohet Shefqet Krasniqi

Më: 19 shtator 2014 Në ora: 19:12

Imami i Xhamisë së Madhe të Prishtinës, mund të dënohet deri në 15 vjet burg dhe me gjobë 3 herë më të madhe se sa vlera e pasurisë e cila është subjekt i veprës penale.
Ky vlerësim mund të jepet duke u mbështetur në komunikatën e Gjykatës Themelore të Prishtinës e cila ka treguar se në bazë të cilave ligjeve dhe neneve të veçanta mund të dënohet Shefqet Krasniqi.
Avokati Arianit Koci, i cili nuk është i përfshirë në mbrojtjen e asnjërit prej imamëve të arrestuar para dy ditësh, i ka thënë Indeksonline se “Shpërlarja e parave nga neni 32 par. 2.5 dhe 2.6, që ndëshkohen sipas nenit 2.8 të ligjit mbi parandalimin e shpërlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit e ka të paraparë dënimin deri në 10 vite burgim”.
Dënimi në bazë të këtij ligji, sipas Kocit, përfshin edhe ndëshkimin me gjobë e cila, mund të jetë deri 3 herë më e madhe se vlera e pasurisë e cila është subjekt i veprës penale.
Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, dyshohet se ka shpëlarë qindra-mijëra euro. Ai, sipas fletarrestimit, të cilin e ka parë KTV-ja, thuhet të ketë pranuar fonde nga organizata të ndryshme, në mesin e tyre edhe atë Al Haramain, organizatë e lidhur me Al-Qaedan.
Një pjesë e madhe e fondeve që ka pranuar Krasniqi kanë përfunduar në llogarinë e NTP “Portat”, biznes i regjistruar në emër të imamit Krasniqi.
E pika tjetër për çka dyshohet Krasniqi është edhe nxitja e urrejtjes, më saktë, nxitjes së të rinjve për t’iu bashkangjitur organizatës terroriste ISIS, derisa avokati i tij, Bajram Tmava, mohon veprat për çka dyshohet klienti i tij.
Sipas avokatit Arianit Koci, për veprën penale, Shtytja për kryerjen e veprave terroriste nga neni 141 i KPRK-së, është paraparë dënimi nga 1 deri në 5 vjet burgim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat