Vijon projekti për lirimin e trotuareve dhe mbjelljen e fidanëve në qytetin e Prishtinës

Lajme

Vijon projekti për lirimin e trotuareve dhe mbjelljen e fidanëve në qytetin e Prishtinës

Më: 16 shtator 2014 Në ora: 18:15

Komuna e Prishtinës ka vazhduar me implementimin e projektit për vendosjen e shtyllave antiparking, në kuadër të së cilit parashihej që me fillimin e sezonit të përshtatshëm për mbjelljen e fidanëve, projekti për lirimin e trotuareve të bëhej edhe me mbjelljen e drurëve.

Nga 15 shtatori ka nisur mbjellja e 450 fidanëve në Komunën e Prishtinës, ndërsa ecurinë e realizimit të këtij projekti ditën e sotme e ka mbikëqyrur nga afër Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i shoqëruar nga Drejtori i Shërbimeve Publike, Ardian Gashi.

Ky projekt aktualisht ka filluar në rrugët ku mund të bëhet kombinimi me shtyllat antiparking, ku drunjtë do të shërbejnë edhe si kornizë për moslejimin e zënies së trotuareve nga veturat, mirëpo edhe do ta zbukurojnë pamjen e qytetit si dhe do ta përmirësojnë ambientin në përgjithësi.

Gjithashtu, është planifikuar që fidanë të mbillen edhe në lagjet ku nuk ka gjelbërim të mjaftueshëm, si dhe në të gjitha ato lagje që është e domosdoshme marrja e masave të tilla.

Gjatë dëgjimeve publike për propozim buxhetin e vitit 2015, të realizuara me qytetarët e Komunës së Prishtinës, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në diskutimet për Drejtorinë e Shërbimeve Publike, pati bërë të ditur se 15 shtatori në kuadër të projektit për vendosjen e shtyllave antiparking, ishte paraparë edhe mbjellja e fidanëve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat