Zvarriten punimet në pishinën e Gërmisë

Lajme

Zvarriten punimet në pishinën e Gërmisë

Më: 30 korrik 2014 Në ora: 20:41

Pishina e Gërmisë nuk do të hapet këtë sezon veror për qytetarët e Prishtinës. Punimet e ndërprera shkaku i motit, e kanë ngadalësuar procesin e rregullimit. Zyrtarët komunalë thonë se punimet do të përfundojnë në muajin shtator.

Qytetarët e Prishtinës, të cilët të vetmen mundësi e kanë pishinën e Gërmisë, për ta kaluar pushimin veror, këtë sezon nuk do të mund ta shfrytëzojnë atë. Punimet që janë duke u bërë në këtë pishinë, sipas zyrtarëve komunalë, nuk do të përfundojnë deri në fund të muajit shtator. E të
cilat sipas tyre janë ndërprerë një kohë për shkak të motit.
Qytetarët këtë e konsiderojnë si neglizhim nga ana e komunës së Prishtinës, pasi sipas tyre, të gjithë nuk i kanë mundësi financiare për të shkuar në bregdet.
Edhe drejtori i pishinës së Gërmisë, Enver Rakovica nuk ka fjalë të mira lidhur me zhvillimin e punimeve në këtë pishinë. Rakovica, thotë se për këtë çështje me muaj të tërë ka kërkuar takime me drejtues të komunës. Ai ka kërkuar sqarime edhe për mos pagesën që 9 muaj të 14 punëtorëve, por asnjëherë nuk ka marrë përgjigje nga udhëheqësit e Prishtinës.
“...Zyrtare kanë qenë dy raportet të cilat i kemi dorëzu me 26 mars dhe me 1 korrik, ku kemi kërkuar edhe takim em kryetarin që së paku të kemi informat se si ju edhe qytetarëve iu intereson çka po ndodhë...(...dhe në këto raste iu është kthy përgjigje?)...jo, jo...” shprehet Rakovica.
E për këtë çështje, përfaqësues të zyrës për informim në Komunën e Prishtinës, nuk ishin shumë të informuar.
Fitore PACOLLI , zyrtare për Informim në Komunën e Prishtinës, ka thënë se nuk ka informata për këto raporte të dërguara nga kompania në fjalë, ndërkohë që ka shtuar se është e vërtetë se ka pasur ngadalësim të punimeve për shkak të sezonit dimëror.
Punimet në pishinën e Gërmisë, për rënien e nivelit të thellësisë nga 4.1 metër në 1.80 metra, kanë filluar në muajin nëntor të vitit 2013. E sipas zyrtarëve komunalë, kontrata e nënshkruar mes Komunës së Prishtinës dhe kompanisë kontraktuese, parashikon që punimet të përfundojnë brenda 270 ditë pune.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat