Provimi pranues në UP po shkon mirë

Lajme

Provimi pranues në UP po shkon mirë

Më: 21 korrik 2014 Në ora: 13:40

Provimi pranues të shumicën e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës (UP) ka filluar të mbahet me kohë siç ka qenë i paraparë me konkurs.

Zëdhënësi i UP-së, Ardian Gola, ka thënë se deri pas mesditës procesi i provimit pranues ka shkuar në rregullë, derisa ka shtuar se menaxhmenti i UP-së po qëndron në departamentet më të ndjeshme dhe ku ka numër më të lartë të konkurrentëve.

“Deri në këto momente nuk kemi asnjë ankesë të vetme që ka mundur të vijë nga njësitë e caktuara akademike, përkundrazi nga informatat që i kemi në përgjithësi, në kontakt të vazhdueshëm me dekanët, me menaxhmentin e njësive, duket që çdo gjë ka vajtur mirë, procesi ka rrjedhë në tërësi sipas dinamikës së paraparë të konkursit menaxhmenti i universitetit është i shpërndarë në të gjitha fakultetet e universitetit, e kam fjalën për ato që janë më të ndjeshme, ku konkurrenca është më e madhe dhe ku interesimi i kandidatëve ka qenë më i shtuar dhe në bazë ta asaj çka ne dimë deri tash procesi në përgjithësi ka shkuar mirë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se në disa njësi akademike ka pas vonesa në fillimin e provimit, por të cilat nuk kanë ndikuar në cilësinë e provimit.

“Faktikisht ka pas disa shtyrje të vogla por që nuk qojnë peshë në cilësinë e procesit, shtyrjet kanë qenë më tepër si rezultat i ndërmarrjes së të gjitha masave për të siguruar proces sa më kompetitiv, sa më të sigurt në kuptimin që të evitohet ë gjitha mundësitë e ndryshme të kopjimit, komunikimit në mes të kandidatëve etj. Përndryshe me këto shtyrje tepër të vogla mendoj se procesi ka shkuar tepër mirë dhe i sigurt”, është shprehur ai.

Kurse, kandidatët të cilët kanë aplikuar nëpër fakultetet e UP-së për t’u regjistruar, janë shprehur optimist se do ta zënë një vend në këtë institucion të arsimit të lartë sivjet.

Vesa Emra nga Gjakova, tha se ka hyrë në provimin pranues, i cili sipas saj, nuk ishte shumë i vështirë.

“Kam aplikuar në Fakultetin Filozofik, në Departamentin Shkenca Politike, provimi ka filluar në ora 11:00, gjithçka ka shkuar në rregull, nuk ka pas parregullsi. Provimi nuk ka qenë i vështirë, kanë qenë krejt gjërat që jemi kanë në dijeni. Nuk e di, shpresoj që po”, është shprehur ajo.

Kurse Valon Hyseni nga Lipjani, tha se ka aplikuar në Gazetari derisa ka shpresë se do të pranohet.

“Kam apliku në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës në drejtimin gazetari. Parregullsi nuk ka pas, ka shku gjithçka mirë dhe shpresoj sipas konkurrencës se do të pranohem”, ka thënë ai.

Provimi pranues në Universitetin e Prishtinës, me përjashtim të Fakultetit të Mjekësisë dhe Ekonomikut, është mbajtur të hënën në të gjitha njësitë tjera akademike.

Mjekësia dhe Ekonomiku do ta organizojnë të martën provimin pranues për shkak të numrit të madh të aplikantëve dhe mungesës së hapësirave objektive për ta organizuar këtë provim për të gjitha njësitë akademike.

Për mbi 10 mijë vende të lira sa janë shpallur në afatin e parë të regjistrimeve në UP, sivjet kanë aplikuar mbi 20 mijë kandidatë.

Rezultatet e regjistrimit në UP pritet të publikohen më 25 të këtij muaji.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat