Bajrami: KPM të mos e përfillë vendimin e Qeverisë

Lajme

Bajrami: KPM të mos e përfillë vendimin e Qeverisë

Më: 22 prill 2014 Në ora: 14:11

Komisioni i Pavarur për Media mund të mos e përfillë vendimin për shkurtimin e 15 për qind të buxhetit për mallra shërbime të Qeverisë së Kosovës, sipas Hykmete Bajramit, anëtare nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.
Sipas saj është komplet e padrejtë që institucionet që i raportojnë Kuvendit, dhe për buxhetin e të cilave vendosë Kuvendi që të kenë këtë shkurtim.

“Besoj prapë që ju keni autoritetin e plotë që një vendim të tillë të Qeverisë të mos e përfillni, nëse vendimi vie nga Kuvendi, kërkesa vie nga Kuvendi, atëherë është obligativ për ju”, shprehet Bajrami.

Shqetësimin për këtë çështje e ka shprehur edhe kryetari i KPM-së, Adnan Merovci, për vendimin e Qeverisë për zvogëlim për 15 për qind të buxhetit, duke kërkuar që edhe në rishikim të dërgohet çështja e kompensimit për disa aktivitete që rrjedhin si rezultat i zgjedhjeve.

Ai si problem ka përmendur edhe çështjen e pagave dhe punëtorëve, duke kërkuar rritjen e numrit të punëtorëve për shkak, sipas Merovcit, të rritjes së vëllimit të punëve.

“Çështja e kompensimit të anëtarëve të KPM-së, ne e dimë se ligjërisht ne trajtohemi si zyrtarë të lartë, dhe ligji vetëm me një fjalë e thotë që këta trajtohen dhe paguhen në bazë të ligjit, por ne jemi të përfshirë në këtë rast në linjën për paga dhe mëditje”, deklaron Mervoci.

E kryetarja e Komisionit për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës, Safete Hadergjonaj, thotë se janë në pritje të realizimit të Ligjit për pagat e funksionarëve të lartë publik.

“Deri sa të miratohet Ligji për pagat ju kisha lutë që të na kurseni edhe neve prej kërkesave në këtà « drejtim”, thotë Hadergjonaj.

Këto diskutime janë bërë gjatë diskutimit të Raportit vjetor financiar të KPM-së për vitin 2013, në Komisionin për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni ka miratuar edhe Raportin vjetor financiar edhe të Agjencisë Shtetërore për Mbrojtjen e të dhënave Personale për vitin 2013 për të cilin Hadergjonaj tregon se ka pasur tejkalime buxhetore duke propozuar për planifikim më të mirë të shpenzimeve.

Në këtë Komision është miratuar edhe Projektligji për Zgjedhjet e Përgjithshme me amendamentet e Komisionit funksional për Legjislacion.

E miratimi nga Komisioni për Buxhet dhe Financa i Projektligjit për Armët me amendamentet e Komisionit funksional për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, do të ketë implikime shtesë 30 mijë euro, për vitin 2014.

Me amendamentet e këtij komisioni funksional është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për pajisje me armë, municion dhe pajisje përkatëse të sigurisë për institucionet e autorizuara shtetërore për siguri, dhe të Projektligjit për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit, pa implikime shtesë buxhetore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat