Doganierët kosovarë në veri pa përcjellje të EULEX-it

Lajme

Doganierët kosovarë në veri pa përcjellje të EULEX-it

Më: 8 prill 2014 Në ora: 08:58

Bartja e doganiereve kosovarë në pikat kufitare në veri të Kosovës, nuk realizohet më nga EULEX-i që nga nëntori viti të kaluar. Kjo gjë tanimë behët me vetë mjetet transportuese të Doganës së Kosovës. Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën, drejtori i përgjithshëm i doganës, Lulzim Rafuna.

Çështja e transportit të doganierëve kosovarë në pikat kufitare në veri, konkretisht në Bërnjak dhe Jarinje, e cila deri nëntor të vitit të kaluar ishte realizuar me helikopterë nga ana e EULEX-it, tanimë bëhet nga vetë Dogana e Kosovës.

Lulzim Rafuna, drejtor i Doganës së Kosovës, vlerëson se çështja e transportit të doganierëve në veri nuk ka qenë pjesë e bisedimeve me Serbinë. Kjo sipas Rafunës është pjesë e organizmit të brendshëm të Doganës së Kosovës.

"Nuk është e as që do të jetë pjesë e bisedimeve, sepse kjo është çështje e jona e brendshme. Dhe kjo çështje e transportit të oficerëve doganorë na përket neve si Doganë dhe ne e kemi organizuar si në çdo pikë tjetër. Edhe mbas shkuarjes së EULEX-it nuk do të ketë pengesa që oficerët tanë të udhëtojnë në vendkalime”.
E ndërkohë që a pritet të këtë ndonjë ndryshim të këtij komponenti pas ndryshimeve që pritet të bëhen në mandatin e EULEX-it, zyra për informim e misionit për sundim të ligjit të BE-së, në Kosovë, nuk ka dashur të komentojë rreth saj.

“Mandati aktual është valid deri në qershor. Negociatat mes Kosovës, Brukselit dhe vendeve anëtare të BE-së, po vazhdojnë. Do të ishte e pamatur nga ana jonë të spekulonim para rezultatit final”, shkruan në përgjigjen e këtij misionit, drejtuar Radio Kosovës.

Pavarësisht se në Bruksel ishte arritur marrëveshje ndërmjet Pishinës dhe Beogradit në lidhje me çështjen e funksionimit normal të vendkalimeve kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë, doganierët kosovarë dhe ata të EULEX-it kishin vazhduar të përballen me vështirësi për qarkullim, nga jugu në veri të vendit. Për shkak të këtyre pengesave, doganierët kosovarë patën vazhduar të shfrytëzonin helikopterët e EULEX-it, apo të KFOR-it, për të arritur në vendet e tyre të punës në veri të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat