“Ka shqetësime se Serbia po përgatitet për luftë dhe...”: Gazeta britanike shkuan për “ditët e vështira përpara Serbisë” dhe Vuçiqit

Lajme

“Ka shqetësime se Serbia po përgatitet për luftë dhe...”: Gazeta britanike shkuan për “ditët e vështira përpara Serbisë” dhe Vuçiqit

Më: 29 mars 2024 Në ora: 14:31
Aleksander Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shkaktuar shqetësim pas një komenti të ashpër për të ardhmen e vendit të tij.

Me një postim në rrjetet sociale të martën, Vuçiq bëri bujë në përgjigje të një kërcënimi të paspecifikuar për vendin e tij dhe Republikën Srpska, etnitetin serb në Bosnje, shkruan e përditshmja britanike Express.

Vuçiq ka shkruar në Facebook: Serbinë e presin ditë të vështira. Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lloj lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit, por ato kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, si të Serbisë ashtu edhe të Republikës Srpska”.

Politikani populist shtoi: “Në ditët në vijim do t’i prezantoj popullin e Serbisë me të gjitha sfidat që na presin. Do të jetë e vështirë. Ne do të luftojmë. Serbia do të fitojë”.

Vuçiq mbështet lëvizjen e vendit të tij për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, por dëshiron të mbajë lidhje të forta me Rusinë dhe Kinën dhe nuk ka sqaruar kuptimin e njoftimit të raportuar gjerësisht.

Gjithashtu të martën, ai ndau një video në Instagram me mbishkrimin e mëposhtëm: “Ka një popull të vogël në Evropë, në një vend të vogël, në një territor të vogël, që ende qëndron krenar dhe dinjitoz, që nuk pranon pushtimin dhe urdhrat nga jashtë. Një popull i vogël, por krenar që dëshiron një të ardhme për veten dhe fëmijët e tyre. Ju mund të na ndalni ajrin, ne nuk do t’ju japim lirinë, sepse ne e duam Serbinë, ne jetojmë për Serbinë!”.

Ekziston shqetësimi se Serbia po përgatitet për luftë dhe ky shqetësim është shtuar së fundmi.

Në shtator, Shtëpia e Bardhë dënoi grumbullimin “të paprecedentë” të trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën, një vend që Beogradi nuk e njeh.

Përveç kësaj, vitin e kaluar në shtator, persona të armatosur serbë plaçkitën një fshat të Kosovës dhe u barrikaduan në një manastir mes përleshjeve me policinë, shkruan Expess-i britanik.

Ngjarja ka shkaktuar vdekjen e katër personave.

Së fundmi, Vuçiq tha javën e kaluar se Beogradi mund të largohet nga Këshilli i Evropës, anëtar i të cilit është që nga viti 2003, nëse Kosova i bashkohet organizatës.

Tensionet midis Serbisë dhe Bosnjës janë gjithashtu të larta lidhur me Republikën Srpska, pasi udhëheqësi i saj Milorad Dodik premtoi në dhjetor të shpallte pavarësinë e plotë për rajonin.

Vuçiq dhe Dodik u takuan personalisht më 27 mars për të diskutuar përgatitjet për Asamblenë e madhe të Pashkëve – një ngjarje që do të zhvillohet nga 5 deri më 6 maj, gjatë së cilës do të merren “vendime të rëndësishme”, tha presidenti serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat