Bankieri serb: Serbia ka bazë ligjore që t’i paguajë të ardhurat për serbët e Kosovës në euro

Lajme

Bankieri serb: Serbia ka bazë ligjore që t’i paguajë të ardhurat për serbët e Kosovës në euro

Më: 13 mars 2024 Në ora: 11:37
Vlladimir Vasiq

Ish-sekretari i përgjithshëm i Asociacionit të Bankave të Serbisë, Vlladimir Vasiq, lidhur me dekretin e Bankës Qendrore të Kosovës, me të cilin shfuqizohet përdorimi i dinarit, thotë se zgjidhja e situatës duhet kërkuar përmes dialogut në nivelin teknik, “pa hyrë në fushën e njohjes faktike të Bankës Qendrore të Kosovës dhe të Kosovës si shtet i pavarur”.

Duke pasur parasysh se dekreti i BQK-së ka hyrë në fuqi më 1 shkurt dhe se tre muaj janë caktuar si periudhë tranzicioni, por që një muajin e gjysmë tashmë ka kaluar, nuk ka zgjidhje për serbët e Kosovës që marrin të ardhura nga buxheti serb, Vasiq thotë se nuk ka asnjëherë kohë të mjaftueshme për t’u përshtatur dhe gjithçka bëhet paraprakisht.

“Për mua si ekonomist, bankier, gjithçka ka ndodhur përnjëherë. Sigurisht, fakti që euro ekziston atje që nga viti 2001, 2002, kur u zëvendësua marka gjermane, nuk është asgjë për t’u habitur, por nuk është mënyrë për të ndryshuar një sistem të tërë brenda natës, pa ditur se çfarë duhet të bëhet, ose të paktën për ne në këtë anë, që nuk kemi informacione të mjaftueshme se çfarë mund të bëhet që njerëzit të marrin para. Gjëja ‘më e lehtë’ është të ndërpritet diçka, dhe nga ana tjetër shohim se si njerëzit nuk arrijnë deri te paratë e tyre dhe nuk mund të jetojnë. Koha po ikën dhe na duhet një zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur”, pretendon Vasiq.

Në tërësi, siç thotë ai, ka dy dimensione – politike dhe njerëzore, gjegjësisht si të ndihmohen njerëzit në Kosovë që të marrin të ardhura, qoftë në euro apo dinarë.

“Sigurisht që do të donim të ishin dinarë sepse “Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë”. Megjithatë, ne shohim se njerëzit në Kosovë kanë probleme me pranimin e dinarëve. Duhet të gjejmë një mënyrë, të paktën në nivel teknik, që personat fizikë të marrin të ardhurat e tyre, qoftë shteti ynë të paguaj në euro në llogaritë e tyre dhe pastaj njerëzit tanë të tërheqin paratë. Për më të moshuarit, ndoshta zgjidhja do të ishin kartelet, t’i merrnin paratë dhe ato llogari të lidhen me një llogari diku në Serbi, megjithëse për ata të moshuar ndoshta problemi do të ishte se si të paguajnë me kartela”, ka thënë Vasiq.

Dimensioni i dytë, shton ai, ka të bëjë me atë se Banka Qendrore e Serbisë mund të krijojë komunikim me BQK-në në nivel teknik, sepse ekziston një zgjidhje se si të zbatohet kjo në praktikë.

Vasiq gjithashtu beson se transferimi i parave për kompanitë publike dhe institucionet që marrin para nga buxheti i Serbisë do të jetë një sfidë më e madhe sesa kur bëhet fjalë për personat fizik, sepse pyetja është nëse këto institucione do të duhet të regjistrohen në Agjencinë Kosovare për Regjistrim të Bizneseve.

Në lidhje me atë se a ka pengesa ligjore që Serbia t’i paguajë pagat, pensionet dhe përfitimet tjera serbëve në Kosovë në euro, Vasiq thotë se zgjidhjet ekzistuese ligjore janë të mjaftueshme, por pyetja është se si do të zbatohen teknikisht.

“Ka marrëveshje mes disa vendeve apo territoreve të tjera në bazë të të cilave ne u paguajmë pensionet njerëzve tanë në euro, është model. Me faktin se këtu kemi një situatë specifike sepse “ky është territori ynë”. A do ta trajtojmë njësoj, kjo është një pyetje për ata që merren me këtë temë”, thotë Vasiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat